Në datën 12 tetor 2022, në ambientet e shkollës së mesme së përgjithshme “Sami Frashëri”, në vitin e "Tirana Kryeqytet Europian i Rinisë", Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, (Sektori i Trashëgimisë Kulturore), organizoi një takim me shkrimtarin Rudolf Marku nga cikli “Bisedë me autorë”, që ky Sektor ka iniciuar përgjatë muajit tetor si “Muaji i Letërsisë dhe Arteve.”
Rudolf Marku një autor i mirënjohur i letrave shqipe, me kontribute në poezi, prozë, publistikë dhe përkthim, bëri një bisedë të ngrohtë në formë bashkëbisedimi pyetje-përgjigje, ku z. Marku si poeti i parë laureat shqiptar foli për fillesat e tij në krijimtari, për muzën e krijimit, ndikimet, autorët e preferuar, eksperiencat e tij gjatë regjimit totalitar të së kaluarës por edhe në demokracinë e sotme.
Nxënësit e pranishëm ishin maturantë dhe anëtarë të Klubit “Miku i librit”, si dhe mësueset e tyre të lëndës së letërsisë. Aty ndodhi dhe një skenë mallëngjyese rinjohjeje. Njëra nga mësueset ishte një nga ish-nxënëset e z. Marku në gjimnazin e Lezhës , ku ai ishte punësuar fillimisht pas përfundimit të studimeve dhe ruante kujtimet më të mira për të si Mësuesi i Letërsisë që i frymëzonte dhe edukonte me dashurinë për të lexuarit e të shkruarit .
Takimi u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së shkollës, një hapësirë dinjitoze, pesë herë më e madhe se biblioteka e vjetër, e rikonceptuar gjatë punimeve rindërtuese të shkollës “Sami Frashëri”, projekt që Bashkia e Tiranës ndërmori e kreu me sukses gjatë vitit 2021. Përvec Bibliotekës super komode, e të pajisur me botime të shumta shqiptare e të huaja, gjjimnazi i rindërtuar përmban një kapacitet nxënësish prej 1500 vetësh, 50 klasash dhe 8 laboratoresh. Siç u shprehën mësueset ajo çka ka ndodhur është se: “Shkëlqimi i jashtëm i godinës së re ka nisur të reflektohet në qëndrimin e mësuesve dhe nxënësve ndaj mësimit dhe performancës së përditshme”.