
Këshilli Bashkiak i Tiranës i hap rrugën procesit të ndërtimit të pallateve të reja, në dy lagjet e reja në kryeqytet, në Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku do të strehohen të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, anëtarët shqyrtuan projektvendimin për prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat inxhinierët dhe ekspertët e ndërtimit i kanë cilësuar si të parikonstruktueshëm ose që e tejkalojnë vlerën 70% të rikonstruktimit e sipas ligjit, duhet të ndërtohen nga e para.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se me mbylljen e ciklit të kompensimeve dhe të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit të 21 shtatorit 2019, fokusi është te lagjet e reja dhe ndërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit. “Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike. Janë prezantuar edhe në komisionet e Këshillit Bashkiak, ku për transparencë maksimale kemi qenë në transmetim live, ndaj ka ardhur koha të marrim një vendim”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, për pallatet e dëmtuara, ligji thotë se nëse kostoja e rikonstruksionit të tyre kushton më shumë se 70% e kostos së rindërtimit, duhet bërë nga e para. “Nëse kostoja për të riparuar një pallat ‘të kohës së xhaxhit’, të bërë me punë vullnetare nga njerëz që nuk kanë qenë ndërtues, me materiale të varfra, me dije dhe njohuri e teknika të varfra, shkon mbi 70%, duhet rindërtuar. Pra, ky pallat kushton më lirë ta bësh nga e para sesa ta riparosh. Dua të siguroj se çdo banor i këtyre pallateve do vazhdojë të marrë bonusin e qerasë deri ditën që do marrë çelësat e apartamentit të ri në dorë. Apartamenti i ri do të këtë një vlerë shumë më të madhe në treg se ai që kishin, dhe për sa kohë që merr diçka më të mirë e më të fortë për 100 vitet e ardhshme, bësoj se kjo është një formulë me vlerë, më shumë se çdo improvizim tjetër apo spekulim”, shpjegoi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se procedura ka qenë transparente, ku inxhinierët, strukturalistët, arkitektët kanë venë firmën e tyre dhe janë përgjegjës përpara ligjit për të gjitha studimet që kanë bërë për këto pallate. Ai shtoi se Bashkia e Tiranës ka mbyllur ciklin e kompensimeve dhe të rindërtimit për 65 banesat dhe 1860 pagesat cash për tërmetin e 21 shtatorit. “Kur u bë viti nga tërmeti, mbyllëm të gjitha detyrimet e tërmetit të parë për Bashkinë e Tiranës. Tani jemi fokusuar 100% tek mbyllja e programit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit, por edhe për të vazhduar me energji të reja në ndërtimin e lagjeve apo komplekseve që do të shoqërojnë procesin i rindërtimit”, theksoi Veliaj.
Ndërkaq, deri më tani janë 6 mijë familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat i kanë marrë pagesat dëmshpërblimit ose do t’i marrin këto ditë, për të riparuar shtëpitë që pësuan dëme nga tërmeti, që futen në kategoritë DS1, DS2, DS3. Kreu i Bashkisë së Tiranës, sqaroi se i gjithë procesi ka qenë transparent. Ai falenderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe që nuk janë bërë palë me parti të falimentuara moralisht. “Deri tani kemi kaluar afërsisht 6061 pagesa për dëmet DS1, DS2, DS3. Partia Demokratike ka bashkëpunuar vetëm me 6 spekulantë. Për të gjithë qytetarët që mërziten u them, mos u mërzisni! Fakti që kemi spekulime vetëm 1 në 1000, do të thotë se 999 të tjerët ose në total nga 6000, 5994 qytetarë janë shpërblyer, janë mirënjohës, u thonë faleminderit atyre që i kanë ndihmuar dhe nuk bëhen palë me parti të falimentuara moralisht, që si hiena mundohen të gjejnë e të bashkëpunojnë me spekulantë për të kërkuar më shumë se ç’u takon apo për të gënjyer që s’i kanë marrë këto pagesa. Të gjitha pagesat janë të dokumentuara”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se PD do e marrë përgjigjen e duhur më 25 prill, kur do të mundet sërish në zgjedhje. Ai nënvizoi se ishte pikërisht PD që la qytetin pas dore. “30 sekonda nga transmetimi i spekulimit, ne arrijmë të gjejmë faturën e pagesave, ndaj për PD nuk kam asnjë përgjigje. Në datë 25 prill, ata do të munden sërish, në një qytet që e lanë pas dore, që i lanë plehrat mullar, që u ngeci Sahati dhe që kur kam ardhur ditën e parë kam paguar pagesat e përmbytjeve të lumit të Tiranës që vinte deri tek “Siri Kodra” e futej brenda në qytet, të cilët ata nuk i dëmshpërblyen kurrë. Ata nuk dëmshpërblyen kurrë njerëzit që i hodhën në erë në Gërdec, nuk dëmshpërblyen kurrë njerëzit që i vranë në Bulevard dhe nuk dëmshpërblyen kurrë dikë që iu dogj shtëpia apo e përmbyti lumi. Zgjidhja do vijë vetëm nga ata që u japin ‘dum’ gjërave, ama njerëzit duhet të kuptojnë: Këto para nuk janë as të Lali Erit, as të Edi Ramës, janë paratë e taksave. Kjo do të thotë se fakti që dikush spekulon me partinë e spekulantëve dhe kërkon më shumë pagesa se të tjerët, është fyerje për 99.9% të njerëzve që trajtohen me respekt dhe është fyerje për 100% të taksapaguesve të cilët thonë: I jap këto taksa që të shkojnë tek hallexhiu, jo që të shkojnë tek një parti që e përdor hallin si alternativë për pushtet, kur e kupton që s’ka asnjë votë më në këtë qytet”, tha ai.
Veliaj siguroi se nuk do të lejojë kurrë që një spekulim në një mijë të ulë ritmin e punës apo transparencën për këdo që shfrytëzon hallin e dikujt.
Më tej, ai dha lajmin e mirë për ndërtimin e 10 parkingjeve të reja rezidenciale, që do t’i shtohen kryeqytetit. “Një nga gjërat që do të bëjmë më buxhetin e këtij viti është parashikimi i 10 parkingjeve të reja në Tiranë. Njerëzit, për politikë, shfrytëzojnë situata të ndryshme, por të shfrytëzosh korsitë e biçikletave për të venë kundër shoferët e makinave është kanibalizëm urban. Nëse ata që mendojnë se biçikletat shtojnë trafikun, imagjino nëse ata që kanë biçikleta të kishin të gjithë makina. Kjo nuk zgjidhet me histeri e me kanibalizëm urban, por me projekte konkrete. Këtë mund ta zgjidhë ajo forcë, e cila ndërtoi parkingje nëntokësore në kryeqytet. Në 4 vitet para ardhjes tonë në bashki nuk u ndërtua asnjë parking nëntokësor. Tirana kishte të njëjtat vende parkimi dhe s’kishte as agjenci parkimi. Ndërkohë, u ndërtua parkimi nëntokësor tek “Sheshi Skënderbej”, tek “Bulevardi i Ri”, tek “7 Xhuxhat”, tek “Arena Kombëtare”, si dhe parkime mbitokësore tek “Selman Stërmasi” dhe tek “Pazari i Ri” e kështu me rradhë. Jo vetëm që nuk do ndalojmë modernizimin e Tiranës, por përkundrazi do planifikojmë në këtë rritje të buxhetit edhe 10 parkingje të reja në Tiranë”, tha Veliaj.
Gjithashtu, një pikë e rëndësishme kishte të bënte me zhvillimin e artit dhe të kulturës në kryeqytet. Kryebashkiaku tha sot, në fjalën e Këshillit Bashkiak, se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë sponsori më i madh i artit dhe kulturës në kryeqytet. “Dua që ta ruajmë këtë reputacion. Ne do të kemi një Këshill kulturor - artistik me Diana Çulin, Dorian Koçin, Meri Kumen, Eraldo Rexhon, Robert Ndrenikën, Yllka Mujon, Helidon Halitin, Luiza Gegën, të cilëve u shtohet një anëtar i ri, Alket Islami, me një eksperiencë prej 20 vitesh në sportet ekstreme, të aventurës, pra një industri e tërë sportive-turistike, për të cilën kemi nevojë për eksperiencën eAlketit, ndaj dua t’i uroj atij mirëseardhjen pas këtij vendimi”, tha Veliaj.
Një lajm i mirë edhe për sportdashësit e kryeqytetit. Siç kishte premtuar, Bashkia i ka akorduar ekipit kampion të Tiranës 150 milionë lekë si shpërblim financiar, më i madhi i dhënë nga ndonjë Bashki në Shqipëri. “Më vjen mirë që fjalën e dhënë e mbajmë deri në fund dhe është hera e parë që një Bashki jep një shpërblim të kësaj natyre. Jam shumë i lumtur që kupa e futbollit do të vazhdojë të rrijë në Tiranë edhe këtë vit. Shpërblimi prej 150 milionë lekë, më i madhi i dhënë nga ndonjë Bashki në Shqipëri, të shkojë për historinë e suksesit, jo vetëm të futbollistëve, por edhe të stafit teknik që mundëson suksesin e ekipit. Kjo ofertë vlen për të gjitha ekipet që do të sjellin kupa në Tiranë dhe kushdo që fiton kampionatin apo edhe kampionate të tjera, mund të jenë volejbollistët e Farkës apo basketbollistët e Dinamos, ne do të vazhdojmë të shpërblejmë ata që e stolisin me kupa Tiranën”, tha ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se shpërblimi i Tiranës synon promovimin e kulturës sportive. “Jam shumë i lumtur që një pjesë e madhe e palestrave të qytetit janë hapur për aktivitete sportive dhe dua t’i inkurajoj se në shumë terrene që kemi krijuar janë mbi 60 ku shoqata të ndryshme sportive i kanë marrë përsipër për të trajnuar fëmijët e qytetit tonë për të luftuar obezitetin e për të qenë më aktiv sidomos në këto kohë të pandemisë. Dua ta fuqizoj dhe ta inkurajoj kulturën sportive në kryeqytet”, deklaroi Veliaj.
Këshilli po shqyrton edhe disa projektvendime që lidhen me ndihmën financiare për familjet që kanë pësuar dëme ndërtimore dhe në orendi/pajisje elektroshtëpiake, si pasojë e zjarrit, përmbytjes dhe tërmetit.