
Një javë pas prezantimit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, kanë nisur prodhimin e Kartës së Studentit, e cila do të shpërndahet gjatë muajit maj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilluan sot një dëgjesë me studentë që ndjekin studimet e larta në Tiranë, ku njoftuan disa nga mundësitë dhe lehtësirat që do të ofrojë Karta e Studentit, për më shumë se 40 shërbime, muzeume apo biblioteka.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi punën e bërë me plotësimin e pikave të Paktit për Universitetin dhe tha se Karta e Studentit ka nisur të prodhohet, ndaj brenda këtij sezoni universitar do të shpërndahet për gjithë studentët që mësojnë në universitetet e Tiranës.
“Karta është dizenjuar dhe tashmë ka nisur prodhimi. Ne do të jemi në gjendje që javën e tretë të majit të fillojmë ta shpërndajmë ndoshta nga universitetet e vogla të Tiranës, me më pak studentë, për të testuar çështjen e përdorimit, derisa pastaj ta masivizojmë në fund të këtij semestri, ose në mes të korrikut, në varësi kur është shtyrë kalendari i mësimdhënies, për t’u siguruar që të gjithë studentët të kenë kartën e tyre”, tha Veliaj.
Duke u ndalur te lehtësirat dhe mundësitë që krijon karta për studentët, ai theksoi se ata do përfitojnë jo vetëm nga shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore, por edhe ato private. Veliaj bëri të ditur se shumë kompani private janë shprehur të gatshme që të bëhen pjesë e lehtësirave dhe e ofrimit të shërbimeve me kosto të ulët për studentët. “Jam i lumtur që menjëherë pas dëgjesës që bëmë me ministren e Arsimit, kanë qenë një duzinë, 10-12 kompani private nga ato që ofrojnë ushqim, te ato që ofrojnë rroba, kancelari, ose shërbime të tjera, që u ofruan menjëherë për t’u bërë pjesë e këtij projekti”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër lajm i mirë i dhënë nga kryebashkiaku gjatë kësaj dëgjese ishte edhe mundësia që do krijohet në të ardhmen për studentët shqiptarë që falë kësaj Karte të mund të përfitojnë edhe nga shërbimet që ofron Karta Europiane e Studentit.
“Ne kemi aplikuar për të qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, kemi dalë të parët në votimin e parë, me pesë finalistë. Nëse vazhdon kështu edhe në votimin e dytë në shtator, me gjasë Tirana do të jetë kryeqyteti Europian i Kulturës. Duam jo vetëm që të kemi një histori suksesi me emetimin e Kartës për studentët tanë, por do donim gjithashtu që deri në vitin 2022, Karta jonë e Studentit të ishte e lidhur edhe me Kartën Europiane të Studentëve”, nënvizoi Veliaj.
Sa i përket detyrimeve që lindin nga Pakti për Universitetin, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e shumicës së konvikteve në Qytetin Studenti, ndërsa bëri të ditur se me mbështetjen e KFË do të nisë puna edhe për 5 konviktet e tjera te Inxhinieria e Ndërtimit. Gjithashtu, ai u shpreh se pjesë e kësaj nisme do bëhen edhe konviktet e Universitetit Bujqësor që do të lirohen nga ata që kanë zaptuar prej vitesh për t’ua kthyer studentëve të rikonstruktuara. Ndërkohë, për gjithë zaptuesit ai deklaroi se do të ofrohen programe sociale strehimi nga Bashkia e Tiranës.
Një tjetër lajm shumë i mirë është edhe hapja e disa institucioneve të reja në qytetin e Tiranës, të cilat do të pasurojnë edhe më tej jetën artistike, mes të cilave hapja e shtëpive muze të dy prej korifenjve të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. “Bashkë me ministren, teksa presim që Ismaili dhe Elena Kadare të kthehen sërish në Tiranë, do hapim bashkë me ta shtëpinë e tyre muze. Tirana jo vetëm ka institucione të ngjashme me qeverinë qendrore dhe Ministrinë e Kulturës, kur vjen puna Teatri Kombëtar, i Metropolit, muze kombëtar, muze të qytetit, siç është muzeu Kadare apo nesër muzeu i Dritëro Agollit”, tha Veliaj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se përmes kësaj karte, të rinjtë dhe të rejat do të afrohen më shumë me artin dhe kulturën, duke mos u mjaftuar vetëm tek jeta universitare. “Nuk është sfidë e vogël, është sfidë e madhe, por jemi në hapat e duhur. Galeritë e arteve janë 90% falas, muzetë e forcave të armatosura, teatrot i kemi me nga 50-60%, edhe kinematë”, tha ministrja Margariti.