Në vijim të takimit informues online të zhvilluar me datë 10/06/2020 ora 10:30, i ideuar për tu ardhur në ndihmë të gjitha OShC-ve të cilat kishin pyetje gjatë procesit të shkrimit të projekt-propozimeve, Bashkia Tiranë publikon pyetjet më të shpeshta të cilat kanë ardhur nga organizatat.
Q: Në listën e aktiviteteve të publikuara te thirrja (Shtojca 10), perfshihen tre zëra përkatësisht aktiviteti 1, 2 dhe 3. A mund të zgjerohen në më shumë aktivitete apo duhet ti përmbahemi këtij numri?
A: Aktivitetet varen në bazë të idesë dhe projekt-propozimit që ju keni, nuk ka asnjë lloj limiti në numrin e aktiviteteve të cilat mund të propozoni. Shtojca 10 shërben si shembull për mënyrën si duhet plotësuar formati.
Q: Do të ishte mirë të ishin ndryshuar prioritetet e thirrjes pas pandemisë, pasi sidomos në fushën sociale provuam gjatë pandemisë që përdorimi i aplikacioneve nuk ofron mbështetjen e nevojshme, nevojitet shërbim direkt. A mund të aplikojmë në thirrje me shërbime direkte në kuadër të nënprioritetit 2.2?
A: Prioritetet dhe nënprioritetet për thirrjen e tretë ReLOaD në Bashkinë Tiranë janë vendosur gjatë takimit konsultativ me OSHC-të e interesuara, të zhvilluar me datë 20/02/2020. Pas situatës së pandemisë, kemi patur diskutime për ndryshimin e prioriteteve në Bashkinë Tiranë, por është marrë vendimi të vazhdohet me të njëjtat prioritete pasi në momentin kur u shty afati i dorëzimit të aplikimeve kishin kaluar 4 javë e shumë organizata mund të kishin nisur me punën për shkrimin e aplikimeve të tjera. Gjatë dy viteve të shkuara, shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara janë theksuar dhe i është dhënë fondi më i madh i buxhetit total si edhe duke e patur në të dyja thirrjet. Duke patur parasysh natyrën gjithpërfshirëse të ReLOaD si projekt, për thirrjen e tretë Bashkia Tiranë ka vendosur të mbështesë edhe organizata të natyrave të tjera. Gjithsesi Bashkia Tiranë do të ofrojë dhe programe të tjera në të cilat mund të aplikoni, pasi puna që bëhet me individët PAK vazhdon të jetë prioritet.
Q: Në kuadër të nënprioritetit 2.1, duke qenë se është pak i përgjithshëm si nënprioritet, ju keni parashikuara një bashkëpunim tonin me bizneset lokale, biznese të mëdha, të mesme, të vogla, nuk e kam shumë të qartë këtë pikë.
A: Biznesi social është një formë juridike e regjistrimit, nuk bëhet fjalë për asnjë nga rastet e përmendura më sipër, dhe ka një ligj që e rregullon si kategori. Ky nënprioritet i drejtohet kryesisht personave të cilët duan të krijojnë ose e kanë krijuar paraprakisht një biznes social.
Q: Kapacitetet e kërkuara në tabelën e vlerësimit duken disavantazhuese për organizatat e reja, pasi për më tepër është specifikuar që nëse nuk merr 10 pikë në seksionin e kapaciteteve nuk vazhdohet më tej me vlerësimin e projektit. Duke qenë se jemi një organizatë e re, dhe nuk kemi zbatuar shumë projekte momentalisht, pavarësisht se si individë kemi goxha eksperiencë, penalizohemi në këtë pjesë.
A: Në thirrjet e shkuara ka patur disa organizata të krijuara rishtazi të cilat kanë qenë të suksesshme. Arsyeja pse kapacitetet kanë nevojë për një limit minimal vjen pasi kemi nevojë për një lloj besueshmërie që organizata i ka aftësitë për të menaxhuar si duhet projektin. Në instruksionet e Shtojcës 7 kërkohet të përfshihen CV e personave të cilët do të përfshihen në këtë projekt pasi në këtë mënyrë mbulohet dhe fakti që një organizatë e re nuk ka zbatuar 3 projekte. Vlerësuesit, në momentin që lexojnë propozimin shikojnë sa i madh është granti i kërkuar, nëse ka patur projekte të tjera me vlera të ngjashme, dhe a ka një CV të mjaftueshme për personat të cilët e kanë themeluar organizatën ose/ dhe punojnë për projektin, pasi në këtë mënyrë rritet besueshmëria që ky projekt do të menaxhohet si duhet. Duhet patur parasysh që sa më i madh të jetë fondi, aq më shumë pyetje/dyshime do të kenë vlerësuesit mbi aftësitë e organizatës për ta menaxhuar.
Q: A është e mundur të bëjmë një partneritet me institucione vendore përvec partneritetit me organizatat e tjera, dhe në rast se po a duhet të dorëzojmë një memorandum ose dokument tjetër për këtë partneritet?
A: Partnerë në kuptimin e parë të fjalës mund të jenë vetëm OShC-të, institucionet mund të jenë bashkëpunëtorë.
Q: Buxheti i cili kërkohet nga programi dhe buxheti të cilin do ta vendosë vetë organizata aplikuese duhet të jetë i përfshirë në një tabelë apo i ndarë?
A: Në projekt-propozim (Shtojca 7), në tabelën e parë kërkohet e specifikuar shuma totale e buxhetit, buxheti ReLOaD dhe pjesa e cila do të bashkëfinancohet nga organizata (në rastet kur organizata do financojë një pjesë të projektit). Në tabelën e buxhetit të ndarë sipas zërave (Shtojca 8) duhet vendosur i gjithë buxheti, por do ishte mirë të specifikohet cila pjesë do të financohet nga organizata, madje do të sugjeronim që një ose disa linja të caktuara të financohen nga organizata e pjesa tjetër nga ReLOaD n mënyrë që të jetë më e qartë, gjithmonë nëse është e mundur që të mos kemi linja të përziera.
Q: Lidhur me dorëzimin e aplikimit, tre kopjet e printuara do të ishte mirë të ishin në të njëjtin zarf apo ndara?
A: Për të lehtësuar punën gjatë vlerësimit, idealja do të ishte qe secila kopje të vendosej në zarf të ndarë së bashku me dokumentat administrative përkatëse, dhe të vendosen sëbashku me kopjen elektronike (CD/USB) në një zarf të madh.
Q: A ka një numër total të granteve që do të jepen dhe si do të jetë shpërndarja e prioriteteve?
A: Nuk kemi një numër fiks të projekteve të cilat do të shpallen fituese, pasi varet nga fondet e kërkuara nga projektet të cilat marrin më shumë pikë gjatë vlerësimit. Nisur nga eksperienca e viteve të shkuara, me shumë mundësi do të ketë 3-4 projekte fituese, duke u siguruar që të qëndrojmë brenda fondit të alokuar për këtë thirrje. Për sa i përket prioriteteve, jo domosdoshmërisht do të ketë një projekt fitues për cdo prioritet, 3-4 projektet më të mira të cilat përfshijnë të paktën një nga prioritetet e thirrjes, pavarësisht cili prioritet është, do të shpallen fitues.
Q: A mund të bëhet një kombinim prioritetesh në projektet e propozuara?
A: Po patjetër, gjatë vlerësimit kontrollohet që projekti të mbulojë të paktën një nga prioritetet, nëse janë pëfshirë më shumë prioritete nuk përbën asnjë problem. Megjithatë, pikët maksimale ne seksionin e relevancës mund të merren edhe nëse organizata adreson vetëm një prioritet në formën e duhur.
Q: A mund të aplikojmë në këtë thirrje nëse kemi qenë fitues në thirrjen e dytë në Bashkinë Tiranë? Gjithashtu doja të konfirmoja nëse buxheti për të cilin mund të aplikojmë është maksimumi 2.000.000 lekë?
A: Të gjitha organizatat të cilat janë shpallur fituese në thirrjen e parë dhe dytë ReLOaD në Bashkinë e Tiranës mund të aplikojnë sërish, mjafton që buxheti total i projekteve ReLOaD të zbatuara në Bashkinë e Tiranës dhe buxheti i kërkuar për këtë thirrje të mos e kalojë shumën 5.000.000 lekë. Vlera e granteve të cilat do të ndahen në kuadër të kësaj thirrjeje nis nga 1.000.000 lekë deri në 2.000.000 lekë.
KUJDES!
- Në fund të Shtojcës 6 do të gjeni tabelën e vlerësimit, në fund të shkrimit të projektit mund ta konsultoni për të pare se si project-propozimi juaj I përgjigjet secilit kriter të vlerësimit.
- Sic është specifikuar në Shtojcën 6, pika 9, aplikimet e plotësuara me të gjithë dokumentacionin, duhet të dorëzohen në tri (3) kopje të shtypura dhe në një kopje elektronike (në CD apo USB) përmes postës zyrtare apo personalisht, të vendosura në një zarf të vulosur që i referohet thirrjes publike, gjatë ditëve të punës (prej të hënës deri të premten), nga ora 09:00 deri në ora 15:00, në adresën: Bashkia Tiranë - Zyra e Protokollit, Sheshi Skënderbej, Nd. 2, Kodi postar 1001, Tiranë, Shqipëri.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 17/06/2020 ora 15:00. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të jenë shkruar emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e aplikantit, emri i plotë i projektit dhe fjalët: “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa të tjera nuk do të merren parasysh.
Për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje me aplikimin mund të nisni një email në adresën [email protected]