Bashkia Tiranë, e angazhuar për të rritur bashkëpunimin me shoqërinë civile në përgjigje të prioriteteve dhe nevojave të qytetarëve, po përgatit hapjen e thirrjes së gjashtë ReLOaD. Programi ReLOaD synon forcimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit në BE nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile, pjesëmarrjen e saj aktive në vendimmarrje, nxitjen dhe krijimin e një mjedisi ligjor e financiar inkurajues për shoqërinë civile. Metodologjia e përdorur mbështetet në parime si transparenca, gjithëpërfshirja, vijimësia dhe universaliteti, me qëllim arritjen e përfitimeve më të mëdha për komunitetin vendor.
Ftojmë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Bashkisë Tiranë, të na bashkohen në takimin konsultues për prioritetet e thirrjes. Takimi do të zhvillohet në datë 21.01.2025, ora 11:00 në ambientet e bibliotekës "Musine Kokalari", dhe do të trajtojë dy cështjet e mëposhtme:
- Përcaktimi i tre prioriteteve të thirrjes;
- Përzgjedhja e anëtarëve të OShC-ve pjesëmarrëse në takim, të cilët do të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit të aplikimeve.
Fushat prioritare të propozuara nga Bashkia Tiranë janë:
1. Promovimi i identitetit euro-mesdhetar për forcimin e kohezionit social dhe dialogut ndërkulturor
2. Ekonomia e qëndrueshme dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike
3. Forcimi i aftësive të të rinjve për qëndrueshmëri në tregun e punës
4. Fuqizimi i pjesëmarrjes publike
5. Mbështetje për zhvillimin e zonave rurale
Për konfirmimin e pjesëmarrjes suaj, si edhe për çdo pyetje sqaruese, mund t’i shkruani personit të kontaktit, znj. Anxhela Doku në adresën [email protected].