“Notre Dame de Paris – The Musical in Tirana” u zhvillua në datën 28 maj 2023 në stadiumin “Air Albania”, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë.
Kjo vepër u vendos për herë të parë në Shqipëri nga një trupë me artistët më të mirë ndërkombëtarë dhe pjesëmarrjen e këngëtares së mirënjohur shqiptare Elhaida Dani. Shfaqja në Tiranë u realizua e para për sa i përket turit të këtij spektakli në Ballkan.
Kjo shfaqje muzikore është nga më emocionueset dhe më të bukurat të vendosura në skenë dhe është një emocion i cili iu mundësua të gjithë publikut Shqiptar për herë të parë tërësisht live.
Një ndër historitë më mbresëlënëse të të gjitha kohërave u shfaq në Tiranë në një shfaqje të jashtëzakonshme.
Shfaqja muzikore ikonike që bën bashkë 65 artistë nga e gjithë bota sjell në skenë copëzat e mozaikut të një kujtese kolektive. Drama e Kuazimodos dhe ciganes Esmeralda, bazuar në veprën e shkrimtarit Viktor Hygo prej një kohe të gjatë tashmë lë gojëhapur spektatorët në katër krahët e globit.
Një ndër kryeveprat botërore muzikale ‘Notre Dame de Paris’ nën muzikën e Riccardo Cocciante dhe spekaklin e Luc Plamondon, dhuroi emocione të forta për të gjithë të pranishmit. Stadiumi “Air Albania” u mbush me dashamirës të artit, të cilët patën fatin të ndjekin një interpretim prestigjoz të një trupe ndërkombëtare.
Produksioni i ofroi të gjithë spektatorëve një përjetim unik, duke i mundësuar atyre që ta ndiqnin shfaqjen njësoj nga secili skaj i stadiumit, duke titruar në ekranet mbështetës mjeshtërisht në gjuhën shqipe.