Procedura për pranimin e kërkesës për rivarrimin e mbetjeve mortore (eshtra) në Varrezat Publike të Bashkisë Tiranë për rastet e mëposhtme:
a) mbetje mortore (eshtra) që vijnë nga njësi administrative të tjera;
b) mbetje mortore (eshtra) që vijnë nga shtete të tjera.
1. Lista e dokumenteve të kërkuara
• Kërkesë me shkrim për rivarrim mbetjesh mortore drejtuar Agjencisë së Shërbimeve Funerale, e cila duhet të jetë e nënshkruar nga familjarët e të ndjerit/ës, shoqëruar me dokumentet si më poshtë:
• Çertifikatë vdekje të të ndjerit/ndjerëve që do të rivarroset/en.
• Çertifikatë të trungut familjar të të ndjerit dhe/ose Dëshmi trashëgimie/testamentare nëse qytetari disponon. (Kërkuesi të respektojë radhën e trashëgimtareve ligjore, pasi mban përgjegjësi ligjore për kërkesën e tij, në rast konflikti me familjarët e të ndjerit/ës)
• Kopje e kartës së identitetit të kërkuesit ose kërkuesve.
2. Procedura e veprimeve të brendshme që ndiqen nga agjencia
Hapi 1: Shqyrtohet kërkesa e dokumentacioni i sipërkërkuar në rastin e rivarrimit në një varr të ri. Në rast se mbetjet mortore që do të trasferohen do të rivarrosen në një varr ekzistues bëhet verifikimi në regjistrat e shërbimit të varrimit dhe në terren i vendvarrimit të të njderit/ve që ndodhen në varrin ekzistues. Pas verifikimeve përkatëse lëshohet/refuzohet “Pranim kërkese për rivarrim mbetjesh mortore”, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës.
Hapi 2: Në rast të miratimit të kërkesës, lëshohet fatura për arkëtim. Pagesa kryhet nëpërmjet bankës dhe një kopje e mandatit, që lëshon banka, dorëzohet pranë agjencisë. Këto veprime kryhen brenda ditës.
Hapi 3: Me kryerjen e pagesës lëshohet “Urdhëri i punës” nga agjencia, për kryerjen e shërbimit të rivarrimit, në të cilin përcaktohet data dhe ora e kryerjes së shërbimit. Këto veprime kryhen brenda ditës.
Shënim për pikën a): Mbetjet mortore (eshtra) që vijnë nga njësi administrative të tjera duhet të shoqërohen me dokumentat: “Leje zhvarrimi”, “Leje/autorizim transporti” lëshuar nga kryetari i njësisë administrative nga ku do të vijnë mbetjet mortore dhe “Autorizimi” i lëshuar nga strukturat rajonale të shëndetit publik, të cilat i dorëzohen përgjegjësit të shërbimit të varrimit nga i ngarkuari për transportimin e mbetjeve mortore.
Shënim për pikën b): Mbetjet mortore (eshtra) që vijnë nga shtete të tjera për në Republikën e Shqipërisë, duhet të jenë shoqëruar me dokumentin “Leje transporti” për futjen e tyre në vend, lëshuar nga Autoritet Konsullore Shqiptare, dokument që i dorëzohet përgjegjësit të shërbimit të varrimit.