Bashkia e Tiranës përgënjeshtron deklaratat e bëra sot nga z. Tedi Blushi lidhur me një gjoja tender për mobilimin e një zyre individuale apo për nevoja personale të funksionarëve të saj.
Në realitet bëhet fjalë për një procedurë të rregullt prokurimi, të zhvilluar nga institucioni në përputhje me të gjithë kuadrin ligjor përkatës për nevoja funksionale të disa institucioneve të varësisë të bashkisë.
Deklaratat e bëra nga z. Blushi janë gënjeshtra dhe nuk mbështeten në asnjë dokument zyrtar apo fakt të provueshëm, duke u bërë kështu pjesë e një fushate të qëllimshme për dezinformim publik. Bashkia e Tiranës është dhe mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë në çdo proces publik dhe i inkurajon të gjithë qytetarët dhe mediat që të verifikojnë informacionet përmes kanaleve zyrtare dhe të bazohen në burime të besueshme.
Përhapja e informacionit të pasaktë që cenon punën institucionale do të trajtohet me seriozitet përmes mekanizmave ligjorë të parashikuar nga ligji për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin institucional dhe në këtë kuadër do të shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore për të sqaruar publikun.
Bashkia e Tiranës mbetet e hapur për çdo kërkesë për informacion dhe vijon punën në shërbim të qytetarëve me përkushtim dhe transparencë.