Në vijim të deklaratave të pavërteta dhe tendencioze të shpërndara nga portali Syri.net dhe të artikuluara nga z. Belind Këlliçi, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se lajmi për "mobiljet e zyrës" është një shpifje e pastër, pjesë e një fushate të ulët baltosjeje që z. Këlliçi po ushqen prej vitesh, me të vetmin synim që të mbulojë dështimet dhe frikën e tij për t’u përballur me qytetarët e Tiranës.
Z. Këlliçi është humbësi më i madh i zgjedhjeve në Tiranë. Edhe këtë vit kur pati mundësinë të dilte sërish përballë qytetarëve me një mandat të lirë, zgjodhi të mos kandidojë. Ai preferoi t’i dhurohej një mandat deputeti, duke shmangur çdo garë dhe çdo përballje të ndershme me votën e lirë.
Deklaratat e tij për "standarde vjedhjeje", “grup kriminal” janë shpifje të motivuara politikisht, me qëllimin e vetëm për të manipuluar perceptimin e qytetarëve përmes sajesave të zakonshme të opozitës së vjetër, që nuk ofron asnjë alternativë përveçse baltës.
Ftojmë mediat të tregojnë përgjegjësi në raportimin e deklaratave të tilla të pabazuara dhe të mos shërbejnë si altoparlantë të shpifjeve politike. Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve janë themeli i punës sonë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për Tiranën me dinjitet, përkushtim dhe ndershmëri, pavarësisht zhurmës së humbësve të përhershëm.