
Duke filluar nga sot, zona si “Kinostudio”, Rruga e “Dibrës”, “Xhamlliku”, “Hoxha Tahsim”, “Brryli”, “Pazari i Ri”, rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, Bulevardi i Ri, “Don Bosko”, “Lapraka”, “Mine Peza”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, “Myslym Shyri”, Fusha e Aviacionit, ish-Parku i Autobusëve, NSHR-aku, Dogana, janë me 24 orë ujë në qytetin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inauguruan impiantit e ri të Bovillës që dyfishon prurjet me ujë dhe transmetimin në rrjet duke garantuar për 62 për qind të kryeqytetit furnizim 24 orë në ditë.
Kryeministri Rama tha se kur erdhi në qeveri para 7 vitesh, kishte një mesatare të furnizimit me ujë 7 orë të ditë dhe sot ajo është 16 orë. Palë këtij projekti tha Rama 62 % do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në banesat e tyre. "Gjetën një mesatare 7 orë ujë furnizim në ditë 7 vite më parë në zonat urbane, ne e nisëm përballjen me këtë probleme me të njëjtin shqetësim njësoj si me rrugët, por me rrugët është bërë më shumë propagandë dhe janë bërë më shumë tenderë në të shkuarën, por e njëjta gjë edhe për ujësjellësin. Në 2018 kishim rritur me 4 orë mesatare e furnizimit me ujë, jo shumë por as pak. Ne sot jemi në kushtet kur po investojmë në 55 zona urbane, përveç 7 zona,që deri në 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me ujë. Sot kemi në Shqipëri 55 kantiere të madha që do të transformojnë jetën e banorëve në lidhje me furnizimin me ujë dhe do të mbyllim në të gjithë zonat përjashtuar 7 zonat, një plagë shumë të madhe. Ne shkojmë në 62 zona urbane të Shqipërisë që do furnizohen me ujë në 24 orë deri në shtator të 2021 ", tha Rama.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se puna po vijon me investime gjer në rrjetin kapilar. “Pas një historiku 100 vjeçar peripecish, shteti i Edi Ramës dhe ministrat tanë, kolegët tanë në Ujësjellës, në Agjenci të ndryshme, vendosën donin, dinin dhe bënë dhe më vjen mirë që sot kemi një ditë të bardhë për ujin në Tiranë. E di që kjo do të jetë një verë e nxehtë si gjithë të tjerat dhe fakti që mund ta themi sot pas testimeve që 62% e Tiranës edhe në pikun e verës dhe të vapës ka mbërritur në një situatë të tillë, meriton mirënjohjen në fakt deri te punonjësi i fundit që ka punuar dhe punon ende sot në Tiranë për të rregulluar një rrjet kapilar që ishte i degraduar, e deri te ata inxhinierë të shkëlqyer që prodhuan një histori suksesi fantastike”, tha Veliaj.
Duke garantuar se puna do të vijojë me rinovimin e rrjetit të shpërndarjes edhe në nivel kapilar në çdo lagje, kryebashkiaku Veliaj theksoi se skuadra e drejtuar nga Edi Rama është gati për të fituar kampionatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme për t’u siguruar që mbajmë premtimin deri në fund për Tiranën 24 orë me ujë para vitit 2024. “Sot jemi në një Tiranë me 1 milionë banorë, ku qartazi nëse nuk dyfishojmë dhe nuk punojmë me dyfishin e ritmit, jo vetëm për të mbajtur rritjen e popullsisë, por mbi të gjitha për të ruajtur dhe rikuperuar të gjithë ato humbje që kemi pasur nga e kaluara, ne nuk ia dalim dot. Ndaj ajo që thoshte Michael Jordan, talenti mund të fitojë një lojë, por është skuadra dhe një skuadër që bën një punë të papërtuar që mund të fitojë një Kampionat. Kjo skuadër mes qeverisë së Edi Ramës dhe Bashkisë së kësaj Administrate, di të fitojë kampionate. Jo vetëm një sukses modest, për një kampionat të tërë dhe mezi pres që ne të fitojmë kampionatin tonë të tretë, në zgjedhjet e ardhshme për t’u siguruar që mbajmë premtimin deri në fund për Tiranën 24 orë me ujë, para vitit 2024”, deklaroi Veliaj.
Veliaj theksoi se falë miradministrimit të UKT-së, është arritur që nga një kompani në prag të falimentit, të jetë një nga kompanitë më të besueshme dhe më të suksesshme duke arritur të mbledhë 98.8% të faturimit. Ne do ta çojmë në 100% dyfishimin e filtrimit të ujit në Tiranë, për t’ju siguruar që edhe ajo 1/3 e qytetit që vërtetë s’e ka ujin 24 orë, por ka kaluar nga regjimi me 3,4,5 orë në një regjim me 16, 17 apo 18 orë, në mandatin e tretë të Edi Ramës kryeministër, brenda vitit 2024 do të jetë edhe ajo pjesë e Tiranës me 24 orë ujë të pijshëm”, u shpreh ai, teksa komentoi edhe deklaratat e opozitës për çmimin e ujit. “E di që ka shumë veta që thonë: Po patjetër sepse u rrit çmimi. Çmimi në qytetin e Tiranës është sot 65 lekë. Ne në fakt fizikisht sot, për metër kub ka kandidatë për të bërë punët e shtetit të cilët mendojnë që çmimi i qumështit në fakt është më i lirë se çmimi i ujit. Kjo është e pavërtetë, dhe duket dikush që çohet në 11:00, nuk ka bërë kurrë Pazar, nuk ia ka idenë e çmimeve. Nëse thotë që çmimi i një litri qumësht dhe po thoshte që ka vajtur sa uji, 130 lekë, me aq lekë blen 2 metra kub ujë, pra blen 2 mijë shishe qumështi të mbushura me ujë dhe kjo është diferenca mes atyre që kanë menaxhuar dhe dinë të menaxhojnë. Çmimi i ujit në territorin ku jemi sot këtu që në fakt është zyrtarisht territori i Kamzës, është identik 65 në Tiranë, dhe 65 lekë në Kamzë. Pra kemi arritur që duke mbajtur çmimin në fashën më të ultë të çmimeve në Republikën Shqipërisë të prodhojmë një rezultat spektakolar”, nënvizoi Veliaj.
Ndërkohë, me dyfishimin e furnizimit me ujë në Bovillë dhe rritjen e kapaciteteve te filtrimit që e çojnë në 24 orë ujë të pijshëm në ditë për 62 për qind të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të nisë një aksion të gjerë për heqjen e këtyre depozitave nga tarracat e pallateve, për të garantuar sigurinë e jetës dhe shëndetit e banorëve që jetojnë në këto objekte. “Dua të njoftoj të gjithë administratorët e pallateve që do të fillojmë të qërojmë pallat më pallat për t’u siguruar që fillon heqja e depozitave për dy arsye: Së pari sepse kemi ujë 24 orë në këtë pjesë të madhe të Tiranës dhe arsyeja tjetër sepse pas tërmetit mësuam që gjithë këto pesha që i mbingarkohen pallateve tashmë të amortizuara nga koha apo improvizimet që kanë pasur ndër vite, meritojnë të lehtësohen. Dhe sot kemi kaluar disa vendime të rëndësishme për pallatet e Kombinatit dhe besoj se edhe për ata që prej tërmetit kanë pasur merak depozitat, ardhja e Tiranës në një pjesë të madh të saj me 24 orë ujë është një lehtësim dhe për depozitat e tarracave në Tiranë. Ne do të fillojmë një punë me të gjithë administratorët e pallateve që pasi t’ju provojmë që në rubinetet ka ujë 24 orë ose të paktën në hyrje të pallatit ne të adresojmë çështjen e depozitave apo dhe çështjen e pompave”, deklaroi Veliaj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga ceremonia e përurimit të impiantit të ri në Bovillë deklaroi se ky investim prej 10 milionë eurosh do të përmirësojë jetën e 650 mijë banorëve të qytetit të Tiranës.
Balluku nënvizoi se Bashkia e Tiranës është një shembull për t’u ndjekur sesi një ujësjellës mund të jetë rentabël. “Ministria e Infrastrukturës është munduar të incentivojë e të mbështesë të gjithë ujësjellësat kudo që ndodhen në Shqipëri por Bashkia e Tiranës është një shembull për t’u ndjekur sesi një ujësjellës mund të jetë rentabël, sesi një ujësjellës mund të ketë pavarësinë edhe për të aplikuar për kredi pa përdorur dhe ngarkuar shtetin në fondet e garancisë sovrane. Përmes këtyre projekteve madhore që janë në proces apo kemi synim për t’i siguruar financimin e që do të nisim nga puna, së shpejti synojmë që brenda vitit 2021 të kemi 55 zona urbane nga 66 zona urbane në 61 bashki të vendit me infrastrukturën e duhur, sipas standardeve më të larta për të ofruar shërbimin e furnizimit me ujë në mënyrë të pandërprerë 24 orë”, përfundoi Balluku.