Tiranë më 23.10.2019
PROCESVERBAL
I mbajtur sot në datën 23.10.2019, tek Parku Olimpik i Tiranës, në Njësinë numër 5.
Morën pjesë në këtë takim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion VELIAJ, Administratori i Njësisë nr.5, z.Renato PASHOLLRI, drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi në Bashkinë Tiranë, z.Erind BEJKO,deputeti i zonës Paneli MAJKO dhe qytetarë nga gjithë Njësia Administrative Nr.5, Bashkia Tiranë.
Rendi i Ditës: “Dëgjesë publike për buxhetin e vitit 2020” për njësinë Administrative Nr.5, Bashkia Tiranë.
Takimin e hapi drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi në Bashkinë Tiranë, z.Erind BEJKO, i ciliu falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe si dhe strukturat bashkiake për punën dhe investimet e kryera në Njësinë nr.5, gjatë këtyre viteve.
Më pas ai prezantoi edhe administratorin e ri të Njësisë Administrative nr.5, Renato PASHOLLARI i cili zëvendëson në këtë detyrë Violeta Kila. Në fjalën e tij Pashollari falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për besimin e dhënë, ndërsa ftoi qytetarët që të japin sugjerimet dhe komentet e tyre për buxhetin 2020 gjatë gjithë kohës deri në miratimin e tij në Këshillin Bashkiak.
Në fjalën e tij, deputeti Pandeli MAJKO tha se ky takim është me komunitetin dhe për interesat e tyre; për ato që janë bërë, ato që mund të bëhen më mirë, dhe për të konsultuar vizionin për të ardhmen. Këtu në këtë njësi, Parku Olimpik, po merr jetë, dhe me shërbimet që do ofrojë do jetë në funksion të komunitetit të Njësisë 5.
Z.Erion VELIAJ, kryetari i Bashkisë së Tiranës, fillon të relatojë mbi investimet e kryera në Njësinë nr.5, duke theksuar se vitin e ardhshëm kjo njësi do të përfitojë nga një sërë investimesh shumë të rëndësishme, si infrastrukturë rrugore, arsimore dhe sportive. Ai theksoi se Njësia 5 ka përfituar gjatë viteve të shkuara disa nga punët më të mira që janë zhvilluar në Tiranë, përfshi ndërtimin e Parkut Olimpik apo transformimin e Parkut të madh të Liqenit.
Por, ai shtoi se në Njësinë 5 do të nisin edhe dy projekte ikonë: transformimi i Kopshtit Botanik dhe Kopshti Zoologjik, në dy hapësira që do i shërbejnë qytetarëve, studentëve dhe studiuesve. Veliaj siguroi se Kopshti Botanik jo vetëm që do të ruhet, por edhe do të shfrytëzohet më mirë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
“Për të gjithë ata që tmerrohen dhe thonë se në Kopshtin Botanik do të ndërtohen kulla, nuk do të ketë. Mjafton të shihni perimetrin e Kopshtit Botanik sesi është zaptuar. Kalimi në administrim të Bashkisë së Tiranës vjen me kushtin se nën mbrojtjen e bashkisë, kopshtin nuk mund ta zaptojë më njeri. Nëse mendonin se po e ruanin, bëni një xhiro dhe do të shikoni sesi Kopshti Botanik është shqyer në të gjitha anët. Nuk ndërron destinacioni, nuk do të ketë asnjë ndërtim, por të njëjtin stil menaxhimi që Bashkia e Tiranës ka për kryevepra si Parku Olimpik, do e zbatojë edhe tek Kopshti Zoologjik dhe Botanik”, tha Veliaj.
Ai i kërkoi politikës që të qëndrojë larg punëve publike të qytetit.
“Çfarë mund të bëhet kur politika fut hundët në punët komunale?! Këtu edhe presidenti, edhe kryetari i opozitës, edhe këta lloj deputetësh, njerëz që s’kanë haberin fare dhe as janë votuar për këtë punë, në vend që të bëjnë punën e tyre dëshirojnë të bëjnë punën time, të drejtorit të komunales. Për të gjitha këto arsye, për këdo që do të ndezë flakë te Kopshti Botanik, jap fjalën e burrit se do zhgënjeheni totalisht, se ajo do të dalë një kryevepër dhe do dilni prapë huq si me lodrat te liqeni, si te shkolla Kosova, si te Pazari, si te Kalaja, si te Bulevardi i Ri, si te Amfiteatri”, deklaroi Veliaj.
Sipas tij, aktualisht në Kopshtin Botanik nuk bëhet as shkencë, as qyteti nuk e shijon e nuk ka akses aty.
“Pra, edhe qyteti ta shijojë si hapësirë, por të bëhet edhe shkencë e mirëfilltë për të gjithë botanistët, biologët e përkushtuar në Fakultetin e Shkencave. Ramë dakord me dekanin Spiro, me të gjithë kolegët e tjerë, i thamë: Ja letra e bardhë, shkruani çfarë investimesh doni, si duhet serra, si duhet të jenë pikat e ujit, çfarë lloj humusi duhet, kur i keni orët e eksperimenteve, çfarë investimesh e mjetesh ju duhen, kamionë etj. U kënaqën, u përqafuam, pastaj dha urdhër partia që do e sabotojmë, siç sabotojmë teatrin, lodrat, sheshin, Pazarin, liqenin”, tha Veliaj.
Mandej, ai tha se Njësia 5 do të përfitojë nga projekti i Bashkisë së Tiranës të 100 lagjeve.
“Kemi identifikuar dy lagje që kanë nevojë të menjëhershme për t’u trajtuar si bllok. Së pari, është blloku te Juridiku, një nga blloqet që duke qenë se është në qendër të Tiranës, ti mendon se është edhe i rregulluar. I gjithë blloku rreth Juridikut, rreth “Petro Ninit”, Gardës, do të trajtohet si i tërë. Po ashtu edhe blloku i fundit i Selitës, që është midis Njësisë 5 dhe 13. Këto janë dy blloqet më problematike”, tha Veliaj.
Sa i përket investimeve në infrastrukturën arsimore, ai tha se krahas rikonstruksionit të disa shkollave në këtë njësi, do të nisë shumë shpejt edhe ndërtimi i dy shkollave të reja që do t’i japin fund mbingarkesës në shkollat ekzistuese dhe do sjellin një cilësi më të mirë mësimdhënie.
“Do të fillojmë shkollën e re “Dritëro Agolli”, por sigurisht nga ana tjetër e rrugës është edhe Njësia 13, kështu që është një shkollë që do përfitojnë të dyja palët”, theksoi kryebashkiaku.
Ai bëri të ditur se do të nisë shumë shpejt edhe transformimi i Piramidës në një qendër moderne inovative, ku të rinjtë mund të mësojnë kodim e programe kompjuterike. Po ashtu, do të hapet edhe gara për të siguruar transport elektrik në Tiranë, duke synuar uljen e ndotjes që shkaktojnë mjetet me naftë. Duke e cilësuar një vit të jashtëzakonshëm për projektet e realizuara në Tiranë, Veliaj tha se një nga investimet më të rëndësishme është edhe Parku Olimpik. Ai dha lajmin e mirë për qytetarët për rikthimin e kompleksit të pishinave, të cilat do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se ka përfunduar vlerësimi dhe hartimi i dosjeve të plota për 51 rastet e para të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, të cilat do të kalojnë për trajtim në Këshillin Bashkiak.
Diskutime:
Pas këtij prezantimi të projekt -buxhetit 2018, nuk ka patur propozime apo komente nga qytetarët.
Mbledhja u mbyll me një falenderim për të gjithë pjesëmarrësit!