
Në Qendrën Kulturore pranë Katedrales Ortodokse, në datën 19 Maj, u zhvillua me sukses Koncerti 15 Vjet Shpat Deda: “Udhëtim në Fjalë e Tinguj”.
Organizimi i këtij koncerti u ideua për nderin e 15 vjetorit të karrierës së kantautorit Shpat Deda. Projekti synonte interesimin e qytetarëve tiranas, të të gjitha moshave dhe profileve.
Në orën 20:30 Shpat Deda, protagonisti kryesor për të cilin u zhvillua ky koncert së bashku me kolegët Tomor Kuçi dhe Visar Kuçi hynë në skenë duke kënduar këngën e tij të parë të natës “Instiktivisht”.
Mbas kësaj artisti i uroi publikut mirëseardhjen dhe vazhdoi më tutje me këngët e tij të radhës, ku në disa prej tyre kishte dhe protagonistë të tjerë, ndër ta dhe këngëtarja Edona Vatoci. Shfaqja vazhdoi deri rreth orës 21:57 dhe gjithçka u regjistrua dhe transmetua nga Televizioni Top Channel.
Publiku i pranishëm ndoqi me admirim e duartroktitje të nxehta interpretimin e kantautorit të mirënjohur.

