Në sheshin ‘Skëndërbej’në mbrëmjen e 20 Qershorit 2023, në skenën madhështore të ngritur për këtë qëllim, intrepretoi me sukses ylli i muzikës latine Ricky Martin, i cili dhuroi një performancë elektrizuese dhe plot atmosferë për të pranishmit e shumtë që mbushnin qendrën e kryeqytetit. E veçanta e këtij koncerti ishte se u interpretua në bashkëpunim me Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Është hera e parë që këngëtari i mirënjohur i muzikës latine vjen në Tiranë ku u përball me dashamirësit e muzikës së tij që e mirëpritën me brohoritje dhe ovacione gjatë gjithë mbrëmjes.
Pak minuta para koncertit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij këngëtarin me famë botërore, Ricky Martin, të cilit në shenjë mirëseardhjeje i dhuroi “Çelësin e Qytetit”.
“Kemi pasur një stinë latine. Filluam me Enrique Iglesias, Ochoa, Hemingëay Jazz Festival dhe Ricky Martin, qershia mbi tortë. Kur shikon dy gjenerata që, në fakt ashtu si vendi ynë, vend i vogël, kur prodhon një yll të madh, ashtu si dikush që vjen nga Kuba, Puerto Rico, tregon fuqinë e njerëzve të mëdhenj, për të ngritur edhe vendet e vogla e për t’i çuar lart. Jam krenar sepse Ricky është edhe agjent i marketingut të Tiranës dhe i Shqipërisë dhe sot jam vërtet mirënjohës që ke ardhur në Tiranë bashkë me miqtë, për të na dhënë energji pozitive. Jam i sigurt se më shumë se sa koncert, do jetë një këndim i përbashkët, me mijëra njerëz në shesh, që mezi presin të të japin atë energjinë e ngrohtë shqiptare dhe uroj që të kthehesh prapë. Ndoshta, një ditë të gjesh një shtëpi të dytë këtu dhe të kemi edhe një copë edhe të prezencës tënde në Shqipëri. Në shenjë respekti e mirënjohje, do doja që, në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës të të jepja Çelësin e Qytetit të Tiranës, si një simbol i një dere të hapur, një zemre të hapur dhe një mendje të hapur, dhe si një kujtim që gjithmonë është koha për t’u kthyer prapë në Shqipëri me çelësin tënd në xhep”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa këngëtari i famshëm Ricky Martin falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe tha se do flasë për shqiptarët dhe energjinë e tyre pozitive kudo.
“Surprizë pas surprize. Jam super falenderues për ftesën. Është suprizë e madhe t’ju takoj. U ndjeva si në shtëpi që në momentin që erdha këtu. Do e marr me vete shpirtin e shqiptarëve dhe do të flas për shqiptarët kudo që do shkoj sepse është fantastike të jesh këtu. Sonte do ta shkëmbejmë këtë energji mes audiencës dhe asaj që ne sjellim nga Puerto Rico, që është pasion, dashuri, ndershmëri, transparencë. Do të jetë shumë speciale!”, u shpreh këngëtari Ricky Martin.
Artisti mbërriti në kryeqytet rreth dy ditë më parë, zgjodhi të vizitojë qytetin e Durrësit, prej nga ku publikoi dhe një foto të tijën në qytetin bregdetar.
Mirëpo përveç kësaj, Ricky nuk la pa theksuar faktin se Shqipëria është një vend shumë mikpritës dhe këtë gjë ai ia bëri të ditur dhe 18 milionë ndjekësve të tij në Instagram, ku kishte publikuar një status ku thuhej:
“Një ndër gjërat më fantastike që shikoni kur udhëtoni në ‘tokën e shqiponjave’, nga kryeqyteti, te malet apo te qendrat historike, ju do të mirëpriteni nga vendasit. Shqipëria është një nga shtetet më mikpritëse që mund të vizitoni ndonjëherë.”