Text size
Bazuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 39, datë 03.05.2019 për “Miratimin dhe zbatimin e programit “Fondi i Komuniteteve”, hartuar sipas udhëzuesit operacional për zbatimin e programit “Fondi i Komuniteteve” (i ndryshuar), kërkojmë nga ana juaj, shpalljen e thirrjes së muajit Qershor 2023 në këndin e njoftimeve, për administratorët e ndërtesave (person fizik/ juridik) dhe të cilët janë të certifikuar në “Librin e Administratorëve”.Administratorët e ndërtesave të kontraktuar nga një Asamble bashkëpronarësh mund të aplikojnë në programin “Fondi i Komuniteteve”, për përmirësimin e infrastrukturës së blloqeve të banimit dhe ruajtjen e ambjenteve në pronësi të përbashkët, ku kërkojnë mbështetje financiare për komunitetet, të cilët kanë nevojë dhe dëshirë, kur arrihet dakortësia e mbi 75% e kuotave të bashkëpronësisë, dhe ku bashkëpronararët deklarojnë se janë të gatshëm të paguajnë minimalisht 50% e fondit total të investimit.
Aplikimi dorëzohet gjatë 3 javëve të para të muajit, nga data 1 deri më 21 Qershor, pranë Njësisë Administrative dhe duhet të përmbajë dokumentacionin e cituar në programin “Fondi i Komuniteteve” (udhëzues operacional), në pikën 3.2.3.
Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve përzgjedh fituesit e secilit fond në javën e katërt të çdo muaji, mbi bazë të një sistemi pikëzimi të bazuar në kriterin ekonomik, kriterin e projekteve prioritare, kriterin inovativ dhe kreativ.
Llojet e projekteve të kualifikueshëm për bashkëfinancim:
1.Mirëmbajtje Fasadash: Këtu përfshihen lyerje, suvatim fasadash dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese. (Neni 6, VKM 408/2015 i ndryshuar me VKM Nr. 457, datë 29.06.2022).
2. Punimet për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara (Neni 6, VKM 408/2015 i ndryshuar me VKM Nr. 457, datë 29.06.2022).
3. Projekte ruajtjen apo rritjen e efiçencës energjetike apo impakt pozitiv mjedisor: Këtu përfshihet termoizolimi i fasadave, vendosja e paneleve diellore, (neni 6 dhe 7, VKM 408/2015, i ndryshuar me VKM Nr. 457, datë 29.06.2022 ) etj.
4. Mirëmbajtje tarracash: Këtu përfshihet punime hidroizolimi dhe termoizolimi të tarracave, etj. (neni 6, VKM 408/2015).
5. Mirëmbajtje e shesheve brenda blloqeve të banimit (hapësirave në bashkëpronësi në funksion të blloqeve të banimit, si, por, pa u kufizuar në këndet e lojërave dhe fushave sportive ekzistuese, rehabilitim i shtresave të shesheve (pllaka trotuaresh, riparim asfalti apo shtresash të ndryshme), mbjellje bari/shkurresh/pemësh dekorative, instalime stolash/hapësirash pushimi, vijëzim vendparkimesh dhe sinjalistikë brenda bllokut të banimit, riparime të ndriçimit publik ekzistues, etj. (neni 6 dhe 7, VKM 408/2015).
6. Projekte për vendosje/modernizim/modifikime të rëndësishme të ashensorëve (neni 7, VKM 408/2015).