Text size
Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Sektori i Trashëgimisë Kulturore, organizuan një vizitë njohëse në memorialin "Shtëpia e Artistit", një nismë e skulptorit të mirënjohur Agim Rada, kushtuar artistëve të dënuar nga diktatura.Në këtë vizitë, ku morën pjesë studentë të Universitetit të Arteve si dhe studentë të Fakultetit të Letërsisë të Universitetit të Tiranës, skulptori Rada u bëri një paraqitje të plotë të konceptit të tij mbi këtë memorial.
Z. Rada ka zgjedhur të kujtojë në një mënyrë tejet të veçantë artistët e dënuar dhe të vrarë nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës.
E pagëzuar si "Shtëpia e artistit", ky memorial bashkon vepra dhe dokumente të shumta nga jeta e prerë e atyre që u ndëshkuan padrejtësisht nga diktatura.
Ngjyrat e ndaluara të Edison Gjergos dhe vargjet e penguara të Blloshmit apo Lekës, rivijnë në një vepër homazhi ku skulptori ka kuruar çdo detaj.
Në bashkëpunim me sipërmarrësin Dritan Gremi, Rada ka shpalosur jo veç një arkiv të pasur, por edhe një tribunë në emër të vlerave të lirisë.
"Shtëpia e Artistit" është një atraksion i shtuar turistik për jetën kulturore e artistike të Tiranës, në dobi të vizitorëve vendas e të huaj që e vizitojnë atë çdo ditë.