Në vijim të punës për përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit e të gjitha institucioneve arsimore, Bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”. Ky rikonstruksion, i cili do të zgjasë për një periudhë kohore deri në 6 muaj, është i domosdoshëm për shkak të nevojës për ndërhyrje në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.
Por, nisur nga shqetësimi i drejtë i disa prej prindërve të nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”, të cilët do të duhet ta zhvillojnë mësimin në një shkollë tjetër për shkak të rikonstruksionit të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë se arsyeja e ndërhyrjes në këtë periudhë të vitit në këtë shkollë është sigurimi i kohës së nevojshme për të kryer të gjitha punimet e parashikuara, në mënyrë që shkolla e rikonstruktuar të çelë dyert për nxënësit e saj në shtator 2019.
Rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare “Gustav Majer”, ndër të tjera përfshin:
- Ndërrimin e kaldajës, rregullimin e sistemit qendror të ngrohjes dhe sistemin e ventilimit;
- Rehabilitimin e të gjitha nyjeve hidrosanitare;
- Rehabilitimin e plotë të palestrës, përfshirë edhe zëvendësimin e parketit;
- Sistemimin e të gjitha kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza;
- Hidroizolimin e tarracës së shkollës, për shmangien e lagështirës;
- Vendosjen e ndriçimit LED.
Sistemimi i nxënësve për vazhdimin e përkohshëm të mësimit në një shkollë tjetër kryhet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës. Punimet për rikonstruksionin e shkollës “Gustav Majer” do të nisin pas datës 18 shkurt, vetëm pasi DAR-i të ketë sistemuar të gjithë nxënësit.
Bashkia e Tiranës dëshiron mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve të nxënësve që frekuentojnë shkollën “Gustav Majer”, që rikonstruksioni i saj të fillojë brenda këtij muaji, pasi ndërhyrjet në godinë kërkojnë një kohë dy herë më të gjatë se sa periudha 3 mujore e pushimeve verore.