Në një vjetorin e fitores së zgjedhjeve më 21 qershor 2015, Bashkia e Tiranës ka paraqitur sot draftin e vizionit dhe strategjisë së Planit të Përgjithshëm Vendor “TR030”, përgatitur nga studio e mirënjohur italiane “Stefano Boeri Architetti” dhe “UNLAB”. Prezantimi u bë gjatë një konference një ditore me arkitektë dhe urbanistë të ndryshëm, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektit Stefano Boeri, të cilët diskutuan dhe hodhën idetë e tyre mbi Tiranën e së ardhmes. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vuri theksin se drafti i hartuar vendos piketat se si do të jetë Tirana e 20 viteve të ardhshme, ndërsa theksoi se ai do të ballafaqohet në një sërë debatesh dhe diskutimesh që do të zhvillohen në çdo njësi të Tiranës gjatë muajve të verës, njësoj siç u veprua me projektin e këndit të lojërave për fëmijë apo për projektin e sheshit “Skënderbej”.
Por, para se të shpjegonte disa detaje të vizionit dhe strategjisë së Planit të Përgjithshëm Vendor, në 1 vjetorin e fitores së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët që i besuan atij zhvillimin e qytetit. “Ekzaktësisht 1 vit më parë, në 21 qershor të vitit të kaluar, Tirana vendosi që të na jepte besimin për t’i çuar gjërat në drejtimin e duhur. Sot ndihem i emocionuar dhe dua t’i them faleminderit të gjithë atyre që na e dhanë këtë besim dhe që na bekuan me besimin e tyre për të provuar qoftë edhe këtë vit të parë, se disa gjëra mund të shkojnë në drejtimin e duhur, ku ka një vullnet ka një zgjidhje, pavarësisht rrethanave, pavarësisht vështirësive, pavarësisht financave”, tha ai.
Veliaj theksoi se gjatë vitit të parë të mandatit është përpjekur që të justifikojë plotësisht besimin e dhënë dhe t’ua kthejë atë qytetarëve me punë konkrete për Tiranën. “Dua t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë që ndoshta na ndjekin tani nëpërmjet ekranit, me shpresë që nuk i kemi zhgënjyer dhe me premtimin se ky ishte vetëm viti ynë i parë dhe më e mira ende s’ka ardhur”, shtoi Veliaj. Ai ka siguruar gjithashtu, edhe ata që nuk e votuan apo ata që kanë qenë skeptikë, se Bashkia e Tiranës punon për të gjithë pavarësisht bindjeve politike të gjithkujt.
Duke iu rikthyer temës së Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, kryebashkiaku tha se “jam i sigurt se për çdo projekt, edhe ky dokument, një projekt madhor i Bashkisë së Tiranës, sigurisht që do të hajë debat. Por, ky nuk është një konkurs bukurie. E kam kuptuar që në fillim se nuk ka nevojë që të gjithë të bien dakord për gjithçka, ajo që ka nevojë të ndodhë është që të merren vendime të drejta, të kemi një proces transparent dhe secili që ka diçka për të thënë, siç është ky forum sot, të dëgjohet”, tha kryebashkiaku Veliaj. Gjithashtu, ai theksoi se ato që do përcaktojë në finale ky Plan do të jenë pikërisht ato që Bashkia do të zhvillojë në vitet në vijim në zhvillimin e qytetit.
“Dua t’ju them se kemi dhënë 1 vit prova se kur themi që do të bëjmë kënd lodrash për fëmijë, bëjmë vetëm kënd lodrash për fëmijë, nëse themi se do bëjmë Unazën e Vogël, do bëjmë vetëm Unazën e Vogël. Ndaj, besoj që kemi ndërtuar një standard që edhe ata njerëz që me të drejtë, prej eksperiencave të këqija të së kaluarës, janë bërë dyshues dhe e kanë kthyer në hobi cinizmin, u kemi dhënë mjaftueshëm prova që gjërat që themi janë ekzaktësisht gjërat që bëjmë. Ndaj edhe në këtë plan të përgjithshëm vendor dua që gjërat që do të themi, gjërat që do të vendosim dhe gjërat që do të votojmë, do të jenë realisht gjërat që do të bëjmë në tre vitet e ardhshme të këtij mandati”, shtoi kryetari i bashkisë.
Që në krye të herës, Veliaj e vuri theksin te fakti se ky Plan nuk është dhe nuk duhet parë si një dokument që përcakton lejet e ndërtimit. “Ky nuk është plani i lejeve të ndërtimit, ashtu si gabimisht të gjithë planet vendore, në shumë bashki të Shqipërisë, janë trajtuar si një instrument mbi të cilat ne do të japim lejet e ndërtimit për 10-15 apo 20 investitorë, të cilët bërtasin më shumë, që kanë kontroll në media, që i njohin politikanët, që janë në paradhomat e çdo pushtetari. Nuk është kjo! Sigurisht, nuk po them se në Tiranë nuk do të ndërtohet. Në këtë rast Plani i Përgjithshëm Vendor është harta, është atlasi për të parë se si do të zhvillohet qyteti nga ana ekonomike, si do të zhvillohet qyteti nga ana sociale, si do të zhvillohet qyteti për çështje të mjedisit, por edhe për çështje të kulturës”, u shpreh Veliaj.
Më tej, ai bëri edhe prezantimin e disa risive kryesore të këtij Plani, duke nisur nga ajo që është më jetësorja për një qytet të shëndetshëm, gjelbërimi. “Më vjen mirë që një nga idetë më provokuese është ai që quhet ‘metro-pylli’, pra pylli metropolitan i Tiranës. Tirana ka një milion banorë, duhet të rrethohet minimalisht nga një milion pemë për të bërë një diferencim dhe një rrethim të Tiranës nga ajo që quhet zona e urbanizuar me pjesën tjetër rurale. Konturi që do të ketë pylli metropolitan i Tiranës do të jetë si një unazë përgjatë unazës së pestë, e cila lidh gjithashtu disa nga atraksionet periferike të Tiranës urbane, duke filluar nga Parku i Dajtit me Liqenin e Farkës, me Liqenin tonë Artificial, duke vazhduar pastaj në jug, në zonën tjetër përtej Doganës, një pjesë e zonës informale, e gjithë pjesa e Lumit të Tiranës, e cila është duke u rehabilituar dhe duke pasur një kontur të gjelbër të atij që do të quhet pylli metropolitan e Tiranës”, tha Veliaj.
Një ide të dytë që parashikon ky projekt është edhe ai për ndërtimin e dy unazave të reja për Tiranën, duke krijuar kështu më shumë mundësi, jo vetëm për ata që kanë një makinë, por edhe ata që kanë zgjedhur të ecin me biçikletë apo në këmbë. “Ky plan ofron një propozim drastik për dy Unaza të reja që janë dy unaza të dedikuara, quhen Unaza e Dytë dhe e Katërt. E dyta, gjendet midis Unazes së Vogël dhe Unazës së Mesme, ajo që ne e quajmë sot autobusi i Unazës dhe e katërta është midis Unazës së Mesme, siç njihet unaza klasike dhe Unazës së Madhe, aty ku po shikoni gjurmët e ndërtimit. Ideja e shtimit të këtyre dy unazave është për ta rrethuar Tiranën me dy unaza të gjelbra që janë të dedikuara ekskluzivisht për transport publik, për këmbësorë dhe për përdoruesit e biçikletave”, shtoi ai.
Plani parashikon dhe merr parasysh gjithashtu, zhvillimin e Tiranës në drejtimin verior, që vjen si pasojë e zgjatimit të Bulevardit. “Një projekt tjetër, që është në fakt një qepje e kujdesshme e disa projekteve ekzistuese, ka të bëjë me atë që quhet aksi kryesor i Tiranës. Tirana e ka një aks kryesor, i cili po dyfishohet. Më vjen mirë që jemi sot në 1/3 e punimeve. Në qoftë se do të vazhdojmë me këtë ritëm, brenda këtij mandati do të përfundojmë aksin e Bulevardit të Ri, por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton nëse nuk konceptohet dhe nëse nuk qepet edhe nga ana e konceptit urbanistik, edhe me pjesë të tjera siç është Parku i Lumit të Tiranës, siç është sheshi “Skënderbej”, apo i gjithë kompleksi universitar, e mandej investimet që do të vazhdojmë të bëjmë në Parkun e Liqenit të Tiranës”, theksoi kryebashkiaku.
Gjithashtu, ai ka theksuar se projekti i planit të ri vendor parashikon edhe një Tiranë policentrike. “Tani ka ardhur koha që ta marrim këtë vendim dhe propozimi ynë i guximshëm është që ta marrim sot këtë vendim. Ne kemi propozuar një Tiranë e cila do të ketë 7 qendra. Kemi qendrën kryesore që është qendra klasike e Tiranës. Propozimi ynë është që qendra të tjetër të jetë zona e Kombinatit, zona e Kinostudios, zona e Laprakës, pjesa e Bulevardit të Ri, e cila do të zhvillohet si një lagje e re e Tiranës, trekëndëshi i zonës industriale të Shkozës me Farkën, zona e Qytetit Studenti, Sauk, Lundër, e cila tashmë ka marrë fizionominë e një poli urban”, përfundoi Veliaj.