Bashkia e Tiranës, pas disa muajsh diskutime dhe një serie të gjatë konsultimesh publike me qytetarët dhe grupet e interesit, ka gati draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor, “TR030”. Ai u prezantua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitekti i njohur Italian, Stefano Boeri, gjatë një takimi ku merrnin pjesë arkitektë e urbanistë shqiptarë dhe të huaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi faktin që pas gati 1 viti pune intensive, kryeqyteti ka më një fund dokumentin që do të përcaktojë vizionin e zhvillimit e tij për të paktën 20 vitet e ardhshme.
“Edhe pse Tirana është qyteti më i madh, më vjen mirë që jemi të parët që e mbarojmë planin urbanistik. Duke filluar nga sot do të kryejmë konsultimet e fundit dhe do vijojmë me kalimin për miratim në Këshillin Bashkiak në nëntor, që vitin tonë të parë ta mbyllim planin, për të punuar për zbatimin e tij në 3 vitet e tjera. Kemi realizuar rreth 100 dëgjesa publike nëpër njësi administrative, tre të mëdha i kemi organizuar në nivel ekspertësh, nga profesoriati, akademia, me implementues në praktik të projekteve të tilla, inxhinierë, arkitektë, urbanistë”, tha kryebashkiaku Veliaj në nisje të prezantimit. Duke marr shkas nga fakti se ky takim mbahej në ambientet e Piramidës, ai theksoi se kjo në vetvete mbart simbolikën se ashtu si Piramida, edhe shumë hapësira të tjera që ka qyteti, do të vihen në funksionalitet nga Plani i Përgjithshëm Vendor.
“Kjo është hera e fundit që takohemi dhe e shohim Piramidën në këtë gjendje. Bashkia ka një projekt shumë ambicioz për ta kthyer atë në një hapësirë publike, duke ia kthyer qytetarëve të Tiranës, për ta bërë të aksesueshme për aktivitete publike. Hapësira që janë shumë tërheqëse në qendër të qytetit dhe që kanë simbolika të qytetit tonë, mund të kthehen edhe në funksionale, në dobi të qytetarëve, edhe për t’iu përgjigjur dilemës: bëjmë qytet të bukur, apo bëjmë qytet për njerëzit. Unë besoj se mund t’i bëjmë të dyja, por funksioni kryesor i investimeve në qytet, duhet të jenë njerëzit dhe ata që e banojnë qytetin”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se hartimi dhe përgatitja e këtij plani është bërë duke patur parasysh interesat e qytetarëve dhe jo vetëm atyre që kanë mundësi të influencojnë te vendimmarrjet.
“Bashkia nuk është një zyrë projektimi vetëm për të fortët, vetëm për ndërtuesit, vetëm për një grupim milionerësh. Sot duhet të bëjmë një qytet me një plan urbanistik demokratik. Fokusi në fakt, ka qenë si mund ta bëjmë më njerëzor këtë qytet? Si do të zhvillojmë gjithë hapësirën e Tiranës në mënyrë më të barabartë për të shmangur polarizimin dhe pabarazinë në zhvillim? Si do të shmangim që të na krijohen më shumë zona si ish Blloku, ku çmimet janë më të larta, dhe sa më pak zona si disa periferi ku nuk janë të pëlqyeshme as për të ndërtuar, as për të vajtur në shkollë, ku cilësia e shërbimeve publike është e ulët?”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ndërsa foli për disa nga pikat dhe risitë kryesore që sjell ky plan, Veliaj tha se aty i jepet përgjigje disa nga pyetjeve që shqetësojnë sot qytetarët, përfshirë këtu edhe mjedisin. Ai gjithashtu shtoi se ky Plan i Përgjithshëm Vendor synon që të ndajë edhe zonat e zhvillimit ekonomik nga ato rezidenciale.
“Bashkia e Tiranës po konsideron aplikimin për të hapur një zonë të lirë ekonomike në Tiranë dhe për t’i përcaktuar shumë qartë ku do të jenë zonat ku prodhohet, ku do të jenë zonat ku ka manifakturë dhe ku do të jenë zonat rezidenciale. Por, nuk mund të jetë gjithë Tirana edhe rezidenciale, edhe manifakturë, edhe thertore, edhe qebaptore, edhe qofte. Nuk funksionon kështu! Ndarja në këtë mënyrë dhe fuqizimi i disa zonave të caktuara, i disa korridoreve ekonomike, bën më shumë sens për të ruajtur cilësinë e jetës në qytet”, tha Veliaj. Një tjetër aspekt që trajton ky dokument është edhe çështja e lëvizshmërisë së njerëzve dhe mjeteve.
“Çfarë do të quhet sukses në qytetin tonë? Do të quhet sukses kur çdo njeri me ndihmë ekonomike eventualisht do të marrë dhe do të blejë një makinë apo do të quajmë sukses kur edhe një i pasur do të hipë në autobus. Unë besoj te kjo e dyta. Kombet kanë kaluar 100 vite me këtë përgjigje, por sot të gjithë kombet e zhvilluara dhe qytetet e avancuara kanë arritur te ky përfundim: një qytet i suksesshëm quhet ai që edhe një njeri që është mirë nga gjendja ekonomike, e bën të përdorë transportin publik”, nënvizoi Veliaj. Në këtë drejtim, ai u shpreh se ky plan është hartuar se, jo shtimi i rrugëve për makinat, por trajtimi i mjeteve alternative publike të lëvizjes janë zgjidhja për trafikun dhe mobilitetin në qytet.
“Dy unazat, e dyta dhe e katërta që tashmë i kemi gjurmuar në qytet, do jenë me fokus transportin publik, vetëm autobusët , biçikletat, këmbësorët. Nuk jam urbanist, por në këtë fazë kam parë dhe kam studiuar historitë e të paktën 100 qyteteve të përmasave tona dhe parimi se duke ndërtuar më shumë rrugë çlirohet trafiku, është gënjeshtër. Kjo nuk zgjidhet duke prodhuar më shumë asfalt dhe duke shtuar korsi. Qytetet amerikane kanë dështuar me sukses në këtë perspektivë. Qytetet evropiane e panë, mësuan dhe po bëjnë ekzaktësisht këtë, duke i kushtuar më shumë infrastrukturë transportit alternativ se sa makinave”, shtoi kryetari i bashkisë. Kjo sipas tij, do të shoqërohet edhe me pastrimin e ajrit për të cilin do të kontribuojë edhe vendimi tjetër për të ndërtuar pyllin orbital me rreth 2 milionë pemë deri në 2030.
“Në qoftë se vazhdojmë me këtë ritëm, pas 3 vitesh do të kemi nivelin e oksigjenit dhe të ajrit të çdo qyteti anëtar të BE. Duam që në 15 vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2030, të kemi mbjellë 2 milionë pemë në Tiranë. Është shumë më shumë se sa ambicia që kemi arritur me sukses deri tani. Ambicia që kemi pasur deri tani ka qenë 1000 pemë në muaj dhe e kemi mbajtur. Vitin e parë kemi mbjellë mbi 13 mijë pemë, por nuk mjafton me çfarë duhet të jetë qyteti sepse po u krahasua me çfarë gjetëm, jemi si dita me natën”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se Plani i Përgjithshëm Vendor merr në konsideratë edhe faktin se Tirana do jetë vendi i dëshiruar edhe në të ardhmen nga të gjithë ata shqiptarë, të cilët e shohin atë si një vend më të mirë të jetuar dhe punuar.
“Strehimi është një çështje që duhet ta zgjidhim dhe mund ta zgjidhim me këtë plan. Kemi bërë disa propozime jashtëzakonisht inkurajuese si për banesat sociale, si për fondin e kredive të buta për vitin tjetër. Por, do t’i themi një ndërtuesi, nëse do të ndërtosh në volum pak më shumë, ka vetëm një rrugëzgjidhje, do t’i japësh bashkisë disa nga apartamentet, sipas një formule të caktuar, që t’i fusë te banesat sociale. Në këtë mënyrë shmangim edhe getoizimin. Ëndrra ime është që Shkoza të mos jetë getoja jonë e re, meqë aty kemi një bllok me banesa sociale, përkundrazi modeli i Londrës, ku Bashkia në të gjithë qytetin ka një fond të banesave sociale, është një shpërndarje më demokratike, por edhe më humane, më sociale”, theksoi kryetari i Bashkisë. Ai foli edhe për disa politika të tjera që favorizojnë ndërtimet që kursejnë energji dhe nxisin pastrimin e ajrit në qytet.
“Problemi më i madh që kemi është me lagështirën se termoizolimi është skandal. Ne duhet të japim një bonus nëse dikush promovon termoizolim të shkallës së parë, do t’i japim prioritet këtij propozimi, se sa një propozimi tjetër ku vazhdon e ndërtohet me katrahurën që është bërë sot. Do të japim një bonus besoj edhe për ata që ofrojnë tarracat e gjelbra”, tha Veliaj. Ndërsa, arkitekti Italian, Stefano Boeri në prezantimin e planit theksoi se ai parashikon që Tirana e vitit 2030 të zhvillohet si një qytet policentrik dhe ku do dominojë gjelbërimi. Më konkretisht, ai bëri të ditur se Plani i Përgjithshëm Vendor përbëhet nga 13 strategji kryesore të zhvillimit të Tiranës si një metropol, duke marrë në konsideratë përbërjen urbane dhe rurale të kryeqytetit.
“Do të mendojmë shumë për idenë e përmirësimit të sistemit bujqësor. Do të jemi duke fuqizuar bulevardin kryesor, që është parashikuar shekullin e kaluar nga masterplani italian në vitin 1935, dhe në të njëjtën kohë jemi duke imagjinuar për krijimin përgjatë lumenjve kryesorë, të korridorit blu dhe të gjelbra dhe të një pylli orbital përreth gjithë qytetit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme se këto 2 milion pemë të pyllit orbital janë për të ndalur shpërthimin e ndërtimeve urbane. Do të 3-fishojmë zonat e gjelbra, kjo është ideja e bulevardit dhe që në pjesën qendrore të tij të kemi një park që të jetë një shtyllë kryesore për qendrën, një vend ndërkombëtar, ku mund të jenë institucionet ndërkombëtare që luajnë një rol në të ardhmen e qytetit”, tha Boeri. Gjithashtu, ai theksoi se plani parashikon 5 unaza, dy prej të cilave të dedikuara posaçërisht për këmbësorët dhe ata që duan të pedalojnë, ndërsa theksoi se parashikohet edhe infrastruktura që lidh Tiranën me Rinasin dhe Durrësin.
Boeri tha se PPV parashikon ruajtjen dhe konservimin e Tiranës historike, duke synuar rritjen e interesit për arkitekturën e mëparshme. “Tirana do të jetë një muze i hapur për arkitekturën gjeopolitike të shekullit të XIX dhe XX. Prandaj, mendoj se përsa i përket ruajtjes është shumë e rëndësishme për qytetin, por në të njëjtën kohë ne e dimë që duhet të zhvillojmë një epiqendër për të ardhmen e Tiranës. Së bashku me bashkinë kemi gjetur 5 zona kryesore brenda qytetit për të dhënë një pamje policentrike dhe për të dhënë dinamika të forta të transformimeve”, tha arkitekti i njohur. Gjithashtu, Plani parashikon edhe një sërë investimesh në fushën e sociale dhe arsimore, siç është ndërtimi i 20 shkollave.