
Tirana ka kujtuar sot 75-vjetorin e çlirimit, si dhe ka nderuar të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre në një nga përballjet më të ashpra kundër pushtuesve nazifashistë. Zëvendëskryeministri Erion Braçe, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, deputetë dhe veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, u bënë pjesë e ceremonisë zyrtare të përkujtimit të luftës, që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit. Në nderim të sakrificës së atyre të rinjve të rejave, që me luftën e tyre e reshtuan Tiranën në anën e duhur të historisë, në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule.
Zëvendëskryeministri Braçe vlerësoi luftën antifashiste si një ngjarjet më të rëndësishme dhe të lavdishme të historisë së Shqipërisë. “Kemi dëgjuar që ky popull nuk ka luftuar dhe që është ndeshur me veten, një luftë civile. Sot, për fat të mire, jemi pak metra larg nga ajo rrugë, ku jo thjesht partizanët, por populli i Tiranës u bë njësh me LANÇ-in kundër pushtuesve. A ka dëshmi më të madhe se kjo, kur populli bëhet bashkë për të kundërshtuar fashizmin këtu në Tiranë. Ia vlen të kujtojmë ata që patën të mundur që të ishin në krahun e duhur dhe bënë zgjedhjen e kundërt, nga ata që bashkëpunuan me fashizmin. Po e përsërisin veten prapë sot, që gjejnë kurajon që për interesa të ngushta dhe për pushtet t’i shpallin luftë SHBA-së, Britanisë, Francës dhe të gjithë Perëndimit se duan pak pushtet”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky jubile i çlirimit, e gjen Tiranën një qytet shumë herë më të mirë dhe të zhvilluar dhe kjo sipas tij, do të ishte e pamundur pa sakrificën e atyre të rinjve dhe të rejave që gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë edhe jetën e tyre në luftë kundër pushtuesve. “Nderojmë dhe respektojmë si kurrë më parë, pas një treçerek shekulli, memorien, faktet, kontributet për të mos harruar, dhe për të treguar se një popull që kujton nga ka ardhur, di ekzaktësisht se ku po shkon. Sot jam mirënjohës për të gjithë ata që na kanë nderuar dhe mezi pres që ta kthejmë në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë, këtë 75 vjetor në një vit jubilar të paharruar, për të kuptuar momentet historike dhe heroike të popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore, dhe në çlirimin si i vetmi popull dhe i vetmi kryeqytet që u çlirua vetë pa trupat sovjetike. Sot përkujtojmë së bashku tek monumenti 'Ushtari Panjohur' kauzën ekzistenciale të lirisë së kombit tonë”, u shpreh Veliaj.
Më tej, ai theksoi se falë kurajos dhe vendosmërisë së atyre burrave dhe grave që u ngritën dhe luftuan për çlirimin e kryeqytetit, sot Tirana e kujton atë luftë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj. “Betejë kishte në Laprakë, te Pazari i vjetër, te Kodra e Kuqe, te sheshi qendror, te Xhamia e Vjetër, në Qafë Krrabë, në Sauk, Pezë, Vorë, Farkë, Kamzë, Shkozë, Tufinë, Babrru, te ura e Farkës, Petrelë, Yzberisht dhe në Kashar. I thashë këto për t’u ndjerë krenar secili qytetar që jeton edhe në Tiranën e madhe, ku edhe në fshatin më të vogël pati një organizim ato 20 ditë. Duke lexuar në arkivat gjermane, antifashizmi shqiptar mbetet një nga faqet më të ndritura të historisë tonë, pikë. Ky është një moment për të respektuar dhe nderuar sakrificat e mijëra të rinjve dhe të rejave”, tha Veliaj.
Por, ai shtoi se vendit tonë, jo çdo e keqe i ka ardhur nga pushtuesit, duke theksuar se ashtu si atëherë, edhe në ditët e sotme, kundërshtojnë çdo projekt që kërkon të zhvillojë Tiranën dhe Shqipërinë. “Shumë nga problemet kyçe që kemi nuk na kanë ardhur nga pushtuesit, shpesh kanë ardhur nga një minorancë brenda nesh që kundërshton gjithçka, kundërshton çdo progres, çdo nismë. Sot shumë prej nesh do shikojnë inaugurimin e Stadiumit Kombëtar. Edhe për të tilla gjera kemi beteja. Mbaj mend kryeministrin dhe lumin e sharjeve, baltës dhe të shpifjeve që duhet të duronte për idenë sesi mund të kishim një stadium që, në pamundësi të parave tona, të kishim mundësi të përdornim edhe para nga sektori privat për të pasur sot një arenë kombëtare që na bën të gjithëve krenarë. E përmend këtë për të kuptuar që shpesh punët e mira i pengojmë vetë, sterkëmbëshat i bëjmë vetë, thikat pas shpine i bëjmë vetë, intrigat i prodhojmë vetë, keq për Shqipërinë flasim vetë, sabotimin e bëjnë një pjesë prej nesh”, u shpreh ai.
Ndaj, ai theksoi se ky 75 vjetor përveçse për të festuar, duhet të shërbejë edhe për të reflektuar dhe për të kuptuar se kur shqiptarët bëhen bashkë ashtu si gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të bëjnë gjera të mira për vendin. “Nëse ka një reflektim nga Lufta e Dytë Botërore është pikërisht ky, kur ne shqiptarët bëhemi bashkë nuk ka forcë që na vë poshtë dhe nuk ka betejë që nuk e fitojmë. Do të jemi proaktiv dhe bashkëpunues si një partizan që nuk pyeste sa e madhe ishte beteja dhe sa i fortë kundërshtari, por sa i rëndësishëm ishte misioni. Sot pyetja nuk është sa e vështirë është të integrohemi, pyetja është nëse ky është një mision i rëndësishëm të gjithë duhet të jemi gati për të përfaqësuar shqiponjën dy krenare dhe flamurin kuq e zi për ta fituar këtë betejë. Vetëm së bashku, siç mundëm nazifashistët në shekullin e kaluar, mund ta ndërtojmë një qytet modern europian për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se ashtu si 75 vite më pare, burrat dhe gratë i kishin vënë qëllim vetes ta çlironin kryeqytetin me çdo kusht, ashtu edhe tashmë brezi i sotëm duhet t’i vërë qëllim vetes që ta zhvillojë Tiranën me çdo kusht. “Tirana mbush vitin tjetër 100 vjeç dhe në këtë 100 vjetor ka ardhur koha të bëjmë një bilanc për 100 vitet që lamë pas, por më e rëndësishme të projektojmë 100 vitet e tjera të Tiranës. Jam shpresëplotë, siç ishte ai shembull i një Shqipërie të vogël në vitin 44 me vetëm 800 mijë banorë, Shqipëria ishte më e vogël se sa është Tirana sot, arriti ta çlironte vetë kryeqytetin. Fjala më e përdorur në atë kohë ishte ta çlirojmë Tiranën me çdo kusht, sot fjala më e përdorur duhet të jetë ta zhvillojmë Tiranën me çdo kusht. Shpresoj shumë që secili prej jush ka vënë një flamur kuq e zi në ballkonin apo dritaren e tij. Nëse nuk e keni bërë, vendoseni ju lutem, që ta kthejmë gjithë Tiranën kuq e zi, si pjesë e një kujtese të madhe”, përfundoi Veliaj.
Ndërkohë, me rastin e jubileut të 75-vjetorit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë, Bashkia e Tiranës nderoi sot organizatat dhe disa nga veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për kontributin që dhanë të gjithë ata burra dhe gra që luftuan kundër pushtuesit, ndërsa theksoi se është detyrë e brezit të sotëm që të vlerësojë sakrificën e tyre. Në emër të Bashkisë së Tiranës ai i dha titullin “Simbol i qytetit” katër organizatave të veteranëve të LANÇ-it: Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, Organizatës së veteranëve të LANÇ, Dega Tiranë, Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Luftës dhe Organizatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ.
Gjithashtu, Veliaj i dha titullin “Mirënjohje e qytetit” edhe disa nga familjeve të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, veteranë që vijojnë të mbajnë gjallë atë përpjekje ekzistenciale të popullit shqiptar, si dhe figura të tjera që kanë kontribuar për të përcjellë këtë luftë te brezat e rinj. Me këtë titull, u nderuan Gjergji Velo, Gjergj Frashëri, shkrimtari Nasho Jorgaqi, Ilir Shkëmbi, Hamdi Mëzezi, Osman Hysa, Dalan Buxheli, Ziqiri Mero, Rustem Peçi, Odhise Porodini, Faik Aliaj, Sevo Tarifa, Servet Agalliu, Hamit Myftari, Mesaret Ymeraj Karagjozi, Mynevere Shuteriqi, Përparime Abazi (Grabocka) dhe Naxhi Zhupa.