Text size
Në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare të për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore, Tirana është qyteti i parë shqiptar që i bashkohet iniciativës “ICAN Cities Appeal”, nismë kjo që shkon në mbështetje të miratimit të Traktatit të OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një letre ka shprehur mbështetjen e qytetit dhe qytetarëve të Tiranës për këtë traktat, që është edhe traktati i parë ligjërisht i detyrueshëm që ndalon përdorimin, prodhimin, transferimin, testimin dhe zhvillimin e armëve bërthamore sipas ligjit ndërkombëtar.
“Qyteti i Tiranës është i përkushtuar t'i bashkohet qyteteve në mbarë botën, që po marrin drejtimin në luftën për t'i dhënë fund armëve bërthamore. Ne jemi qyteti i parë në Shqipëri që i bashkohemi kësaj nisme dhe duke e bërë këtë shpresojmë të shërbejmë si shembull për qytetet e tjera shqiptare në të gjithë vendin. Le të punojmë së bashku pa u lodhur, deri në ditën kur armët bërthamore nuk do të jenë më një kërcënim për njerëzimin”, thuhet në letrën e kryebashkiakut Veliaj.
Mbështetja e qyteteve është e rëndësishme, sepse këta të fundit janë edhe objektivat kryesorë të goditjes në një sulm të mundshëm bërthamor, kjo pasi një goditje e vetme mund të shkaktojë miliona viktima dhe të shkatërrojë një qytet të tërë në vetëm 10 sekonda.
Apeli i Qyteteve ICAN u krijua nga Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore (ICAN), një koalicion prej mbi 650 organizatash nga mbi 110 vende në mbarë botën që po punojnë për çarmatimin bërthamor dhe respektimin e Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Kjo u mundëson drejtuesve të bashkive të shprehin drejtpërdrejtë mbështetjen e tyre për Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore dhe synon të promovojë iniciativat që mund të ndërmarrin bashkitë për të dalë kundër armëve bërthamore dhe për të eksploruar masat që nxisin çarmatimin bërthamor. Qytete të tilla si Uashingtoni DC, Paris, Oslo, Berlin, Toronto dhe Gjenevë, gjithashtu i janë bashkuar kësaj fushate.
Kjo fushatë është udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë së Hiroshimës dhe Nagasaki, Rrjeti i Kryebashkiakëve për Paqe dhe është zgjeruar në 8,374 komuna në 166 vende në mbështetje të traktatit dhe çarmatimit bërthamor. Rrjetit i janë bashkuar tashmë 5 bashki shqiptare, me Tiranën në krye.
Ky angazhim i qytetit të Tiranës vjen në unison të plotë me zërin e qytetarëve pasqyruar në raportin e parë komëtar për Traktatin e OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore, ku 1,100 qytetarë shqiptarë në 12 rajone të ndryshme u intervistuan për opinionet e tyre dhe 98% thanë se besojnë se Shqipëria duhet të nënshkruajë këtë. 90% e qytetarëve ndanë gjithashtu se idenë se Shqipëria duhet të jetë një nga vendet e para të NATO-s që do të anëtarësohet në këtë fushatë.
Në vitin 1982, qytetet Hiroshima dhe Nagasaki krijuan rrjetin “Kryebashkiakë për Paqe”, një rrjet jopartiak, global i bashkive që ka status konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara. Që nga themelimi i tij, “Kryebashkiakët për Paqe” ka zgjeruar anëtarësimin e tij dhe ka punuar në solidaritet me qytetet anëtare për të bërë thirrje për realizimin e një bote pa armë bërthamore.