
Vijion udhën cikli i leksioneve të hapura, që Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore organizon së toku me Akademinë e Studimeve Albanologjike. Gjimnazistët e “Çajupit” u njohën sot me 1000 vjet qytetërim në territorin e Tiranës gjatë Antikitetit të Vonë. Dr. Nevila Molla nga Instituti i Arkeologjisë, bëri një përshkrim panoramik të kalave dhe objekteve të kultit të cilat janë ndërtuar në territorin e Tiranës së sotme, e që në shekujt IV-VII ishte nën administrimin e Epirit të Ri. Vetëm perandori Justinian që ndërmori fushata fortifikimi, ndërtoi 32 kala të reja dhe rindërtoi 26.
U krijua një rrjet i rëndësishëm fortifikimesh jo vetëm për mbrojtjen e popullsisë, po edhe si njësi administrimi ekonomik i territorit. Këtu përfshiheshin: kalaja e Tujanit; e Pëllumbasit; e Dajtit - më e madhja në territorin e Tiranës; kalaja e Vrapit ku është zbuluar i quajturi “thesari i Vrapit” me rreth 41 objekte e që ruhet sot në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork; kalaja e Shën Gjinit; kalaja e Skrepit që u zhvillua si qendër urbane me tregti të zhvilluar me vendet e Egjeut. Objektet e dëshmojnë kontaktin e gjerë që territori i Tiranës kishte me vende të tjera.
Të gjitha monumentet e kultit kristian vënë në dukje që territori ishte shumë i influencuar nga Papati. Shën Mëria në Brar, e shekullit 10-11, është një shembull i mirë i objektit i dekoruar me afresk e ku është zbuluar një varr monumental.
Kala të tjera të rëndësishme janë kalaja e Prezës, ajo e Ndroqit, një pikëndalesë e rëndësishme përgjatë Via Egnatias; kalaja e Petrelës që ka qenë një bazë e Topiajve dhe një bërthamë rezistencë e Skënderbeut kundër osmanëve.
Për të ardhur në gjysmën e dytë të shek.XVIII kur ngrihet kalaja e Tiranës në qendër të qytetit, ndërkohë që qyteti rritet e ndërtohet.
Nxënësit e ndoqën me shumë interes leksionin dhe bënë dhe disa pyetje. Më pas, së toku me mësueset që i shoqëronin, ata vizituan Muzeun Arkeologjik dhe morën një guidë të plotë spjeguese nga ciceronia e këtij Muzeu.




