
“Trashëgimia Muzeale e Tiranës. Rasti i Muzeut arkeologjik” ishte tema e leksionit të dytë të ciklit të leksioneve mbi Trashëgiminë Kulturore të Tiranës, që Bashkia e Tiranës organizon në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike përgjatë gjithë vitit 2022, që është dhe viti kur Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kësaj here Lektoria e Institutit Arkeologjik, Dr. Edlira Andoni u shpjegoi nxënësve të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” historikun e funksionimit të këtij Muzeu të Tiranës.
Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeore. U hap më 1 nëntor 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavijoni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik.
Koleksioni i pasur i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit), kur lindi e u zhvillua etnosi ilir, periudhën e antikitetit ilir dhe periudhën e antikitetit të vonë e mesjetën deri në pushtimin osman.
Në sallat e muzeut janë ekspozuar foto të lidhura me materialin e ekspozuar sipas çdo periudhe, si dhe dy harta: njëra paraqet sitet arkeologjike të gërmuara nga arkeologët në vite, nga periudhat më të hershme (që nga stacionet paleolitike) deri në periudhën para pushtimit turk, ku është dhe fundi i koleksionit të muzeut, kurse harta tjetër paraqet shtrirjen e fiseve ilire në antikitet.
Pranë çdo objekti, brenda dhe jashtë vitrinave, janë vendosur etiketa që tregojnë vendgjetjen e tyre. Muzeu Arkeologjik i Tiranës ka të ekspozuara rreth 2.000 objekte dhe mbështetet në një fond rezervë me më shumë se 17.000 objekte, të cilit gjithashtu i shtohen çdo vit objekte të tjera nga zbulimet sistematike arkeologjike.
Nxënësit shfaqën shumë interes gjatë leksionit që u zhvillua në mënyrë interaktive dhe u konkretizua në çdo hap të tij me shembuj nga objektet në vitrinat e Muzeut.



