
Partizani është shpallur fitues i Ligës Unike në basketboll për femra. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti vajzat e skuadrës, të cilat i përgëzoi për titullin, sidomos në një vit kaq të veçantë, ku Tirana është “Qyteti Europian i Sportit 2023”.
“Jam super krenar për gocat e Partizanit dhe performancën e tyre të shkëlqyer. Në vitin që jemi “Qyteti Europian i Sportit 2023”, sjellja e një kupe në Tiranë, më bën vërtet shumë të lumtur. Ndihem i shpërblyer, jo vetëm për faktin se kemi kthyer vëmendjen te sporti. Më pëlqen edhe rivaliteti, kur, një herë e sjell Tirana një kupë, një herë Partizani, duke na bërë të besojmë fort tek arritjet në të ardhmen dhe sigurisht, frymëzon çuna e goca të vegjël që shohin e thonë: ‘Ej, mund t’ia dalësh, në këtë vend mund të jesh sportist i mirë, qytetar i mirë, mund të jesh aktivist e i angazhuar’. Fakti që sot ekipi është ndërkombëtar, nga të gjithë cepat e Shqipërisë, por edhe nga cepa të ndryshëm të botës, e ka bërë vërtet kuptimplotë këtë kupë,” u shpreh Veliaj.
Menaxheri i Klubit Shumësportësh të Partizanit, Shkëlqim Muça, u shpreh krenar për skuadrën, teksa premtoi se do vijojë të punojë për rritjen e cilësisë dhe të tifozëve të sportit të basketbollit. “Ju falënderojmë për mbështetjen! Do mundohemi të rrisim nivelin dhe natyrisht, sporti është ai që i bën njerëzit më të dashur, më paqedashës. Duam të rrisim numrin e tifozëve në fushat tona. Kjo vjen me rritjen e cilësisë dhe e premtojmë këtë, që do punojmë përditë për ta rritur cilësinë,” tha ai.
Eliverta Bujari, trajnerja e ekipit të basketbollit të vajzave të Partizanit u shpreh se tashmë sfida e radhës është fitorja e kampionatit. “Unë jam krenare për gocat! Liga Unike ka qenë më se e merituar në mes Vlorës. Urojmë të vijmë prapë me fitimin e Kampionatit, që Partizani pas shumë vitesh duhet ta ketë një kampionat të dytë,” tha ajo.
Kjo është hera e parë që një ekip shqiptar fiton Ligën Unike, në edicionin e saj të dytë.