Text size
Në prag të festave të fundvitit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi dje një pritje të veçantë për përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe komuniteteve fetare. Në fjalën e tij, Veliaj vlerësoi sukseset e Tiranës gjatë vitit që kryesoi Presidencën e rrjetit të qyteteve anëtare të B-40, duke e cilësuar këtë vit si një ndër më të suksesshmit në bashkëpunimin rajonal. “Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën. Kemi pasur një rritje të bashkëpunimit mes qyteteve. Presidenca e jonë e trefishoi anëtarësinë, teksa sot jemi rreth 71 qytete që janë pjesë e B-40, një platformë ku ndoshta, me shtete ose me protokoll nuk ulemi dot sepse ka ende punë të pazgjidhura, ama me qytetet, kjo ka qenë pak më e lehtë”, tha Veliaj.
Teksa theksoi rëndësinë e rolit të Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, kryebashkiaku nënvizoi se kush punon, komentohet.
“Ne po bëjmë shumë punë në Tiranë, dhe siç e dini edhe ju, sukseset janë nga ato ‘mëkate’ që nuk falen kurrë. Kush punon edhe do komentohet, edhe do debatohet, por unë e kam marrë përsipër këtë detyrë, - siç keni marrë edhe ju përsipër detyrat tuaja - prandaj, është shumë e rëndësishme t’i çojmë gjërat përpara dhe të bëjmë më të mirën për këtë vend, edhe për misionet dhe detyrën që secili ka marrë përsipër”, tha Veliaj.
Ai ndau një mesazh inspirues edhe nga Nënë Tereza: “Mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe”. “Secili prej nesh është thirrur në shërbejë. Disa janë thirrur në një shërbesë fetare, disa janë thirrur në shërbesa civile. Për ne që jemi thirrur në shërbesë civile, ndoshta gjërat që bëjmë duken një pikë në oqean, por pa atë pikë, oqeani do ishte më i vogël, qoftë edhe ky oqeani i qytetit tonë. Dua t’ju uroj të gjithëve shumë sukses në misionin tuaj shumë të rëndësishëm! Shumë mirënjohje për të gjithë kontributin që keni dhënë për qytetin tonë dhe lulëzimin e tij, që është një histori e jashtëzakonshme progresi dhe suksesi”, deklaroi Veliaj.