
Nga shtëpia 300-vjeçare, e shpallur Monument Kulture, e piktorit të njohur shqiptar, Sali Shijaku, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me operatorët më të mëdhenj turistikë në vend, ku deklaroi se në vitin 2018, Tirana u vizitua për herë të parë nga mbi 1 milionë turistë. Bumin turistik në kryeqytet duket se e kanë sjellë hapësirat e krijuara nga Bashkia e Tiranës, si Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, sheshi “Skëndërbej”, muzeumet e hapura, por edhe promovimi i vlerave natyrore.
Duke prekur situatën e krijuar nga protestat e opozitës, kryebashkiaku Veliaj siguroi operatorët turistikë se kryeqyteti mbetet një vend i sigurt dhe kjo periudhë është kalimtare. “Ne do të kemi zgjedhje në datë 30 qershor. Kjo historia do tretet, njerëzit do shkojnë në plazh, jeta do vijojë siç ka vazhduar në Tiranë. Sot kemi prapë protestë, por duhet të qetësoni të gjithë turistët që keni nëpër hotelet e agjencitë tuaja, se qyteti do të jetë prapë xixë për 15 minuta, as do të kuptohet fare që Tirana ka kaluar këtë lloj eksperience”, tha ai.
Veliaj, i cili kërkon një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, deklaroi se tashmë shqiptarët e kanë kuptuar se më e rëndësishme se partitë, është familja e tyre dhe qyteti ku jetojnë. “Jam i bindur se pas datës 30 qershor, jo vetëm do rikthehet fuqishëm turizmi, por edhe ata kokënxehtit do shkojnë të freskohen në plazh, do reflektojnë dhe do kuptojnë se ky vend nuk është më ‘97. Nëse në ‘97 njerëzit humbën gjithçka, depot ishin sheshit, merrje kallashin, sot secili prej nesh bën llogarinë: Kjo nuk është mirë për Kalanë, Pazarin, agjencinë që ka udhëtime këtë javë, për garën rally që organizojmë etj. Nëse secili prej nesh bën llogaritë e veta dhe jo llogaritë e x politikani, them se edhe llogaria e Tiranës del më mirë”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku tha se është koha për të bërë një pakt për të mos cenuar imazhin e Shqipërisë. “Është koha të bëjmë një pakt bashkë, në një kohë sfiduese për vendin, që të paktën për Shqipërinë dhe Tiranën të flasim mirë. Mund të kemi bindje të ndryshme, opinione, parti të ndryshme, mund të kemi anëtarësi të ndryshme, por në fund të ditës, Tiranën e kemi bashkë dhe kjo që na bashkon është shumë herë më e rëndësishme se ajo që na ndan. Ndaj, do të doja të ftoja të gjithë operatorët që të ndanim një mesazh, mesazhin e një Shqipërie që po përpiqet të ecë përpara me dinjitet”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se ajo që kërkohet në këtë periudhë nga të gjithë shqiptarët është të kontribuojnë për promovimin vendit të tyre jashtë, për të rritur numrin turistëve. Duke sjellë në vëmendje protestat e dhunshme të opozitës, Veliaj u shpreh se nuk ka një komunitet që e kupton më mirë çështjen e imazhit se sa komuniteti i atyre që merren me industrinë e turizmit. “Pas sulmit dhe djegies së shkollës në Shkodër, edhe pas sulmit dhe thyerjes së muzeut në Tropojë, u jam referuar duke thënë: disa hyzmeqarë që punojnë për një bashki, e cila ka edhe 9 ditë punë dhe thyen një muze, nuk mundet të prishë gjithë imazhin e Tropojës. Një nga shembujt që mora ishte Mic Sokoli, por Mic Sokolin unë e njoh vetëm nga piktura e Sali Shijakut. Falë një artisti që ka arritur të përkthejë atë moment historik të një imazhi, që askush nuk e ka fotografuar, i ka bërë ndoshta kontributin më të madh për t’i lënë këtë imazh brezave, të një akti shumë domethënës, siç ka qenë Vojo Kushi mbi tank apo Mic Sokoli mbi top, kohë kur për Shqipërinë duheshin bërë sakrifica sublime, kurse sot kërkohen për Shqipërinë sakrifica shumë më modeste. Nuk kërkohet as të hipësh mbi tank apo t’i dalësh topit përpara, kërkohet ta mbajmë pastër, të flasim mirë, të mos shajmë Shqipërinë në gjuhë të huaj; janë të gjitha elemente që janë kontribuesit kryesorë të industrisë së turizmit në Tiranë: imazhi, imazhi, imazhi”, theksoi Veliaj.
Ai tha se misioni i çdo qytetari, pavarësisht nëse është i majtë apo i djathtë, duhet të jetë vetëm një, të kontribuojë për Shqipërinë dhe Tiranën dhe jo ta nxijë tek të tjerët. “Nuk më intereson fare nëse jemi të majtë apo të djathtë, por si industri kemi një mision që Shqipërinë mos ta bëjmë leckë, mos ta bëjmë copë. Imazhet e një Shqipërie, që siç e keni vënë re tani që është rikthyer fluksi i turizmit, jeta vazhdon normalisht, kalon ekskursioni i dhunës, qyteti bëhet xixë për çerek ore. Po të shikoni jashtë atij grupi, jashtë atij sherri, jeta vazhdon normalisht, njerëzisht janë duke konsumuar, hotelet janë plot dhe është shumë e rëndësishme që këtë punën e imazhit ta kemi prioritet numër një. Mund jemi të majtë ose të djathtë, por Shqipërinë dhe Tiranën e kemi mision”, deklaroi ai.
Më tej, Veliaj tha se kur të tjerët hedhin benzinë, detyra e të gjithëve është për të qenë të bashkuar. “Aty ku të tjerët po hedhin benzinë, ne duhet të hedhim ilaç. Pra, nëse ka forcë që po mundohet të na përçajë, ne duhet të vëmë pak melhem, që të mundohemi të bashkojmë. Edhe kur shumë njerëz po thoshin: Shkodranët po djegin shkollat, u thashë: Nuk po i djegin shkodranët shkollat, është një grup i vogël njerëzish, hyzmeqarë të një bashkie që ka edhe 9 ditë punë dhe që për të justifikuar 9 ditët e fundit që kanë mbetur, po djegin një shkollë, por nuk janë shkodranë”, tha ai.
Sa i përket mundësive turistike, kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se sot qyteti ofron një sërë atraksionesh turistike, që kanë të bëjnë së pari me historinë, siç janë muzeumet. Ai vuri në dukje muzeun “Shtëpia e Gjetheve”, e cila i bën një pasqyrim real të mënyrës se si funksiononte një nga mekanzimat më të egër të represionit të sistemit komunist. “Një nga gjërat për të cilat ndihem mirë është që në këto 4 vite kemi hapur disa muze në qytet. “Shtëpia me Gjethe” është sot pa dyshim një nga institucionet e Tiranës, që duket sikur ka qenë gjithmonë ashtu, aty. S’ka qenë aty! Kemi folur gjithmonë për spiunë, por një institucion që tregonte gjithë atë pjesë të errët, nuk e kemi pasur. Për aq kohë sa ka të huaj që shkojnë në Gori të Gjerogjisë për të parë shtëpinë e Stalinit, për të kuptuar nga lindi ky monster, dhe cila ishte gjendja sociale që prodhoi një përbindësh të tillë, atëherë sado e dhimbshme të jetë kjo, është pjesë e historisë sonë, dhe për aq kohë sa të huajt janë të gatshëm të paguajnë, është në fakt reflektim për ne, por është edhe pasqyrë për ta; për të kuptuar, si ka funksionuar mentaliteti i paranojës dhe kjo makineri”, tha Veliaj.
Po ashtu, ai renditi edhe disa atraksione të tjera turistike që i janë shtuar Tiranës në këto vitet e fundit, siç është Bunk’Art, por edhe disa risi të tjera që promovojnë, historinë, kulturën apo edhe bukuritë e Tiranës. Ai theksoi se Tirana ka ende mundësi që të bëjë më shumë në drejtim të muzeve të personaliteteve që kanë jetuar këtu. “Shoh një potencial fantastik që risinë e muzeve të personaliteteve, mund ta përsërisim me “Muzeun e Sali Shijakut”, apo ngjitur me Shtëpinë e Kadaresë ku është shtëpia e Dritëro Agollit. Mund ta bëjmë këtë për shumë njerëz të mëdhenj të qytetit tonë, familjet e të cilëve do të ishin të gatshme ta bënin për të rrëfyer vlerat, kontibutet dhe historinë tonë. Jam i hapur t’i financojmë apo bashkëfinancojmë hapjen e muzeve, që Tirana të ketë disa stacione të tilla dhe ku përmes jetës së një njeriu, të përshkruhet pak nga historia e këtij qyteti”, shtoi Veliaj.
Përveç Pazarit të Ri, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se një tjetër ikonë që ka ngjallur kureshtjen jo vetëm të vizitorëve të huaj, por edhe atyre vendas është Kalaja e Tiranës. Ai theksoi se pavarësisht kontestimeve të para, sot kjo hapësirë është kthyer në një vend që prodhon vende pune dhe të ardhura për bizneset që kryejnë aktivitet aty. Ai paralajmëroi se ky projekt do të vijojë edhe më tej, duke çliruar edhe pjesën tjetër të Kalasë së Tiranës, për ta kthyer atë të gjithën në një hapësirë që transmeton histori, por edhe prodhon ekonomi.
Por, jo vetëm Tirana urbane duhet të jetë një atraksion për të thithur sa më shumë turistë. Veliaj theksoi se Tirana ka dhe burime natyrore shumë të mira, që po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë për zhvillimin e turizmit, që nga zonat rurale ku ka nisur të zhvillohet agroturizmi, e deri te malet që po shfrytëzohen për sporte të ndryshme ekstreme dhe që po bëhen tërheqëse për turistët. Ai tha se një vëmendje e madhe po i kushtohet infrastrukturës dhe disa fashtrave të Tiranës, që janë përfshirë në projektin e 100 fshatrave, për të krijuar modele se si mund të zhvillohet turizmi dhe ekonomia rurale.