Tirana do të ketë 15 linja urbane dhe 25 linja rrethqytetëse për të kryer transportin publik të qytetarëve. Ashtu siç edhe kishte premtuar më parë gjatë fushatës elektorale kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për krijimin dhe rishpërndarjen e linjave të re të transportit të udhëtarëve brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Rrjeti i ri i linjave të autobusëve bën një mbulim më të mirë të të gjithë territorit të Tiranës, ndërsa përcakton stacionet e reja, si dhe kushtet e standardet që duhet të plotësojnë mjetet që do të përdoren për transport publik. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, teksa bëri prezantimin e 26 çështjeve të rendit të ditës, vlerësoi vendimin për linjat e autobusëve si një premtim të mbajtur për mbulimin e gjithë territorit të Tiranës së madhe me transport dhe përmirësim të cilësisë së këtij shërbimi.
“Sot, jam shumë i lumtur, që më në fund, pa u bërë akoma një vit nga marrja e detyrës, ia dolëm të mbanim këtë premtim dhe ju sjellim sot propozimin konkret. Vendimi përcakton linjat e transportit publik, parashikon shtrirjen më të gjerë të linjave ekzistuese duke mbuluar më shumë territor, duke shtuar linja të reja deri në 15 dhe duke konsoliduar 25 linja të komunave dhe për t’i disiplinuar në mënyrën sesi ato funksionojnë. Jam shumë i vetëdijshëm nga gjitha problematikat që qytetarët kanë ngritur për linjat rrethqytetëse. Pas miratimit të këtij vendimi, me 15 linjat urbane, të cilat kanë në total 500 vendstacione, pra vendqëndrime autobusi, si edhe 25 linjave rrethqytetëse, jemi të bindur se i gjithë territori i Tiranës do jetë i mbuluar me shërbimin e transportit publik më mirë se kurrë ndonjëherë më përpara”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Një tjetër vendim me rëndësi që miratoi sot këshilli Bashkiak ishte edhe ai për “Për përcaktimin e vlerës minimale dhe maksimale të qirasë sipas strukturave të apartamenteve dhe të vlerës minimale dhe maksimale të të ardhurave për përfituesit e Banesave Sociale me qera”. Banesat sociale janë ndërtuar në partneritet me CEB (Banka e Këshillit të Europës), dhe në total janë ndërtuar 385 banesa sociale, prej të cilave 105 janë garsoniere, 45 janë apartamente 1+1, 170 janë apartamente 2+1 dhe 65 apartamente 3+1. “Skema e strehimit social është ndërtuar e tillë që në këto banesa të strehohen familje që kanë një nivel të caktuar të ardhurash dhe janë në gjendje të ndryshojnë statusin e tyre ekonomik. Qiratë me të cilat jepen këto banesa sociale përcaktohen në bazë të ligjit “Për programet sociale të strehimit“ dhe akteve nënligjore përkatëse. Sipas kësaj pakete ligjore, qiraja përcaktohet vetëm njëherë me vendim të Këshillit Bashkiak dhe çdo vit indeksohet me indeksin e çmimeve të konsumit. Ndaj ky vendim paraqet thjesht një indeksim të qirave minimale e maksimale”, theksoi kryebashkiaku Veliaj në prezantimin e këtij vendimi.
Gjithashtu, Këshilli miratoi edhe vendimin “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”, përmes të cilit Bashkia Tiranë angazhohet të ofrojë ndihmë në formën e bonusit të strehimit për 54 familje, në mënyrë që këto familje të përballojnë strehimin me vlerën e tregut. Pjesë e vendimmarrjes së sotme të Këshillit Bashkiak edhe kalimi i disa pronave në administrim të “Tirana Parking”. Në total, bëhet fjalë për 8 prona publike, 7 prej të cilave janë truall apo sheshe që do të kthehen në sheshe parkimi që do të ofrojnë parkim publik për qytetarët e njëkohësisht do të gjenerojnë të ardhura për Bashkinë. Prona e 8 është një godinë në pronësi të Bashkisë Tiranë e cila do të shërbejë për zyre për Agjencinë Tirana Parking. Kryetari i Bashkisë, lidhur me këtë vendim u shpreh se është i vendosur që të çlirojë çdo hapësirë publike të zënë forcërisht dhe t’ia kthejë atë qytetarëve. “Në qoftë se e pyet një qytetar nëse do më mirë këto para t’ia japim këtij privati, të fortit që e ka zënë një hapësirë të caktuar dhe e ka bërë parking dhe paratë që fiton i çon te shtëpia e vet apo duhet më mirë tja kthejmë bashkisë që ato para që fitohen nga parking i kthen në investime për qytetin, sigurisht që ai do të zgjedhë këtë të dytën. Atëherë kjo nuk është e njëjta gjë, kjo ka një diferencë”, tha Veliaj.
Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin “Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2016”. Vendimi përfshin në buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 2016 të fondeve të ardhura nga aplikimet e suksesshme në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, një pjesë të mbartura nga viti 2015 dhe një pjesë të alokuara në vitin 2016, të cilat do të shkojnë për investime të rëndësishme publike në Programet e Menaxhimit të Rrugëve e Transportit Publik dhe Arsimit. Fondi i mbartur nga viti 2015 është 304,536,926 Lekë dhe do të shkojë për financimin 12 projekteve, të cilat jenë objekte në vazhdim e do të financohen edhe për vitin 2016.
Më konkretisht, me anë të këtij detajimi do financohen ndërtimi i rrugëve: “Kosovarëve”, rikonstruksioni i rrugës “A.Gjergjevica (Shkoze )”, rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar mes rrugëve “D.Hima” dhe Stadiumi “Qemal Stafa”, rikonstruksioni i rrugës së “Qelqit”, ndërtimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, ndërtimi i rrugës “Pjetër Bogdani” rikonstruksion i rrugës “Teki Selenica” rikonstruksioni i rruges “Pandi Sillu” ndërtimi i kanalit dhe i segmentit nga rruga “Dalip Topi” deri në rrugën “Marie Kraja”, ndërtim i rrugës që lidh rrugën “5 Maji” me rrugën “Selaudin Zorba”, rikonstruksioni i rrugës “Shote Galica”, rehabilitimi i dy blloqeve ndërmjet rrugëve “Llazi Miho” dhe “Ali Kelmenti”.
Gjithashtu, po përmes këtij vendimi do të alokohen edhe fondet për: ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e Unazës së Vogël (segmenti Banka e Shqipërisë – Ushtari i Panjohur) rikualifikimi Urban i Sheshit “Skënderbej”, rikonstruksioni i plotë i Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe rikualifikimi i terrenit sportiv në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Së fundi, për vitin 2016, do të financohet edhe ndërhyrja në rikualifikimin urban në dy blloqe banimi: rikualifikim urban i bllokut nr.1 (Lapraka), kufizuar me rrugët “Don Bosko”, “Shinat e Trenit”(Filanto), “Turhan Pashë Përmeti”, “Ibrahim BashëBushatlliu”, “Lord Bajron”, “Riza Cuka”, “Learton Vathi”, “Pandi Dardha” dhe “Dritan Hoxha”, si dhe rikualifikim urban i rrugëve në bllokun e pallateve “Selite” Njësia 5.
Këshilli Bashkiak në këtë mbledhje miratoi edhe një sërë vendimesh të tjera:
“Për pagesën e kuotës së anëtarësisë së Bashkisë së Tiranës në shoqatën për “Autonomi Vendore”;
“Për krijimin e Këshillit Artistiko-Kulturor dhe shpërblimin e anëtarëve të tij”;
“Për miratimin në parim të dhënies në përdorim pa kundërshpërblim, 100 metra2 të pasurisë shesh, Akademisë së Shkencave”;
“Për kalimin në administrim për shoqërinë “Ujësjellës-Kanalizime” Tirana SH.a, të një sipërfaqeje trualli funksional me emërtimin “Shtabi I Repartit Ushtarak”me vendodhje në Yzberisht, në pronësi të Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e një depoje uji”;
“Për miratimin në parim të zgjidhjes së kontratave të qirasë të lidhura me shoqërinë “Mak Albania”;
“Për kalimin e funksioneve të mirëmbajtjes së rrugëve rurale, ujitjes dhe kullimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Nr.2 të Punëtorëve të Qytetit, si dhe administrimit të Pyjeve e Kullotave pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit”;
“Për miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të Njësive Administrative të Tiranës”;
“Për miratimin e nivelit tëp agave të punonjësve të Bashkisë së Tiranës”;
“Për miratimin e nivelit tëp agave të punonjësve të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve dhe Klubit Sportiv Tirana”;
“Për kalimin e Parkut të Madh të liqenit Artificial të Tiranës, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Kopshtit Zoologjik, nga Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit në administrim të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, kalimin e Amfiteatrit të Parkut të Madh të Liqenit Artificial nga Ndërmarrja e Dekorit në administrim të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe kalimin e lulishtes pranë Galerisë së Arteve Tiranë, nga Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit në administrim të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit”;
“Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.59, datë 30.12.2015, “Për sistemimin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”;
“Për një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.49, datë 11.11.2015, për “Miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit, nënzonave të destinuara për parkim në qytetin e Tiranës, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruara nga Bashkia e Tiranës”;
“Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë për disa familje të Tiranës”;
“Për miratimin e numrit të punonjësve me kontratë me kohëzgjatje të caktuar për Drejtorinë e Përgjithshme nr.1 të Punëtorëve të Qytetit, Drejtorinë dhe Përgjithshme nr.2 të Punëtorëve të Qytetit dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit”;
“Për pagesën e personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës për periudhën 1-31 maji 2016”;
“Për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 maji 2016”;
“Për miratimin e dhënies së ambientit në përdorim organizatës shoqërore të përkrahjes së të rinjve ARSIS” me destinacion për qendër sociale;
“Për dhënie ambient në përdorim organizatës “Save the Children” për periudhën 1 qershor 2016-31 maj 2017 për realizimin e projektit mbrojtja dhe integrimi I fëmijëve në situatë rruge”;
“Për themelimin dhe pjesëmarrjen e Bashkisë së Tiranës në shoqërinë aksionare EcoTirana Sh.a”.
Linjat e transportit urban
Linja nr.1: Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni Trenit-Allias
Linja nr.2: TEG-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Stacioni i Trenit
Linja nr.3: Kashar (unazore)
Linja nr.4: City Park-Megatek-QTU-Terminal-Qendër
Linja nr.5: Kombinati Autotraktorëve-Instituti Bujqësor dhe Anasjelltas
Linja nr.6: Lapraka (unazore)
Linja nr.7: Tufina
Linja nr. 8: Ish Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i Ri/Sauk i Vjetër/Sanatorium-TEG
Linja nr.9: Qyteti Studenti-Jordan Misja
Linja nr.10: Materniteti i Ri-Qendër-ish Fusha e Aviacionit/ Mihal Grameno/ Qendër
Linja nr.11: Porcelani
Linja nr.12: Sharrë-Uzina Dinamo- 5 Maji
Linja nr.13: Tirana e Re
Linja nr. 14: Unaza
Linja nr.15: Kombinat-Kinostudio