
Text size
Sektori i Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve në Drejtorinë e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Tiranë, organizoi një vizitë në "Galerinë e Pullave të Postës Shqiptare" me nje grup nxënësish të Klubit të Historisë të Shkollës "Qemal Stafa", shoqëruar nga mësuesi i tyre i Historisë z. Hasan Stafa.
Kjo galeri u hap më 5 nëntor 2021, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare duke u kthyer kështu në një vlerë të shtuar për jetën muzeale të Bashkisë Tiranë. Galeria e Postës Shqiptare pasqyron historinë e pullës postare që nga emetimi i saj i parë më 5 maj 1913. Galeria përfshin tri periudha historike: Periudha e parë nga viti 1913 – 1944, e dyta nga 1945 – 1990 dhe e treta nga viti 1991 – deri më sot.
Në ambientet e Galerisë së Pullave është krijuar një hapësirë e dedikuar për ekspozimin e pullave postare të emetuara ndër vite dhe objekteve të saj të vjetra autentike.
Posta Shqiptare, si një nga institucionet më të vjetra në vend, që daton që nga krijimi i shtetit shqiptar, mbart një rëndësi historike unike për rolin dhe funksionin që luajti gjatë gjithë kësaj kohe (nga 5 dhjetori 1912 deri në vazhdim).
Dëshmi e kësaj trashëgimie kulturore është koleksioni i pullave dhe objekteve filatelike, të cilat duke u shpalosur në histori, e rritën vlerën e tyre ndër vite.
Rëndësia e pullave postare qëndron në faktin se ato konsiderohen si ambasadorë të vendit në përcjelljen e kulturës së popullit dhe qytetërimit. Pullat postare janë thelbësore në dokumentimin e jetës ekonomike dhe sociale, duke theksuar elementet dalluese të kombeve, historinë dhe personalitet e shquara kombëtare, diversitetin e zhvillimit kulturor dhe trashëgiminë folklorike.
Nxënësit e ndoqën me shumë interes guidën shpjeguese në Galerinë e Pullave. Për ta ishte prezantimi i parë me pullat shqiptare dhe historikun e tyre.




