Bazuar ne ligjin 139/2015 "per veteqeverisjen vendore" neni 20 si dhe ne ligjin nr. 146/2014 "Per njoftimin e konsultimin publik" neni 18
E drejta e iniciativës qytetare
1. Çdo komunitet, nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar të tij, ose jo më pak se një për qind e banorëve të bashkisë ka të drejtë të paraqesin për vendimmarrje në këshillin bashkiak iniciativa qytetare për çështje që janë brenda juridiksionit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Mënyra dhe forma e paraqitjes së këtyre iniciativave, procedura e shqyrtimit dhe miratimit të tyre përcaktohet në rregulloren e organizimit dhe funksionimit të këshillit bashkiak.
2. Propozimet e ardhura në këshill si iniciativë qytetare, kur kanë ndikim financiar në buxhetin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, shqyrtohen në këshill, sipas rendit të ditës, dhe nuk mund të miratohen pa marrë më parë mendimin e kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Pjesëmarrja në takimet publike
1. Konsultimi në takime publike është i hapur.
2. Njoftimi për organizimin e takimeve publike bëhet sipas mënyrave të njoftimit, të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji.
3. Përfaqësuesi i organit publik, që drejton takimin, në përputhje me rregullat e organit publik, u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të shprehur mendimin e tyre për çështjet që diskutohen.
4. Në çdo takim publik mbahet procesverbal, i cili arkivohet pranë organit publik.
5. Nëse konsiderohet e nevojshme, takimi publik mund të regjistrohet.
6. Procesverbalet dhe regjistrimet e takimeve publike mund të bëhen publike sipas kërkesës së paraqitur, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare.