Text size
Territori i Dajtit është populluar herët. Kjo dëshmohet nga një numër i konsiderueshëm objektesh dhe monumentesh kulture të periudhave të ndryshme të historisë, që nga Paleoliti i Hershëm. Vegla pune të asaj periudhe janë zbuluar në rrëzë të Dajtit. Objektet e gjetura janë kryesisht vegla stralli, kryesisht thika, kruese dhe gërryese, me forma të larmishme. Gjithashtu janë gjetur edhe disa vegla prej kocke, të cilat në atë kohë kishin përdorim të gjerë, krahas përsosjes së mëtejshme të punimit të strallit. Për vazhdimësinë e popullimit të kësaj zone dëshmon edhe Kalaja e Dajtit, që është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1963.