Vështrim i përgjithshëm
Territori i Kasharit shtrihet në të dy anët e autostradës Tiranë- Durrës. Në këtë aks operojnë bizneset më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Paralel me autostradën shtrihet linja hekurudhore për transport publik dhe mallrash.
Relievi i tij është kodrinor-fushor, ku dominojnë hapësirat fushore. Fushat janë të rrafshëta dhe me lartësi të ulët mbi nivelin e detit.
Zona e pasur me liqene artificiale : Liqeni i Purezit, i Kasharit, i Gjokajt dhe i Mëzezit si dhe relievi kodrinor krijojnë një panoramë atraktive duke rritur interesin e vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj për hipizëm, çiklizëm, etj.
Disa tour operatorë organizojnë udhëtime me biçikleta në fshatrat e Kasharit. Afërsia e këtij territori piktoresk e rekreativ me zonat e banuara mundësojnë kushtet për aktivitete të ndryshme në natyrë, kampingje si dhe ushtrimin e sporteve natyrore si ecjet e lira në natyrë, udhëtime me mountain bike, ciklokrose e gara Rally si dhe ekskursione turistike.
Gjatë këtyre itinerareve pjesëmarrësit mësojnë më tepër për kulturën e zonës, trashëgiminë kulturore, traditat lokale, biodiversitetin si dhe takohen e komunikojnë me banorë të zonës.
Histori
Duke iu referuar zbulimeve arkeologjike dhe ngjarjeve historike vërehet se banimi i trojeve në këtë trevë është mjaft i hershëm. Nga zbulimet arkeologjike mësojmë se në fshatin Kashar janë gjetur stela varri prej guri gëlqeror që i përkasin shek. I dhe II. Aty ndodhen mbishkrimet e tre figurave (një burrë, një grua dhe një fëmijë), emrat e të cilëve janë të shkruara në gjuhën latine.
Ndërsa në kohën e pushtimit osman në vitet 1431-1432 dëshmohet se fshatrat e kësaj zone janë të regjistruara në vilajetin e Krujës “Akçasihar”.
Kashari është bërë i njohur në shek. XV me betejën që ka zhvilluar në këtë zonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Humanisti dhe historiani i shek. XV Marin Barleti, përshkruan se Skënderbeu pasi e theu Ballaban Pashën në Vajkal, iu drejtua Tiranës së vogël. Jakub Arnauti që kishte fushuar në Tiranën e vogël me të marrë vesh afrimin e Skënderbeut me ushtrinë e tij e ngriti kampin dhe e vendosi në pjesën skajore të Tiranës, në një vend pranë një kodre në të cilën ndodhej fshati që vendasit e quanin Kashar (Cassar), ku dhe u shpartallua. Kashari është pikërisht në ekstremin perëndimor të fushës së Tiranës, ngritur mbi një kodër, ashtu siç e përshkruan Barleti.
Kashari, së fundmi, është shpallur “Zonë e mbrojtur arkeologjike” për arsye se në fshatin Kus të trevës së Kasharit, në kodrën e “Qafë Qishës” janë zbuluar katër objekte të rralla: rrënojat e një kishe mesjetare, një xhami mbi 300 vjeçare që njihet me emrin xhamia e Kusit, një kishë që ndodhet në pronat e fisit Musteqja dhe një varrezë antike.
Ekonomi dhe mjedis
Në zonën e Kasharit operojnë bizneset më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare si në fushën e shërbimit dhe në atë të prodhimit. Prej kohësh kjo zonë është kthyer në një qendër të rëndësishme të zhvillimit jo vetëm ekonomik por dhe arkitektonik. Falë pozicionit shumë të favorshëm, Kashari ka pësuar një urbanizim me ritme shumë të shpejta. Zhvillimi i vrullshëm i hapësirës përgjatë aksit interurban Tiranë-Durrës në aspektin ndërtimor, arkitektonik dhe urbanistik ka krijuar një peizazh të ri me shumë ndërtime industriale, të transportit, shërbimeve, banimit, etj. Në këtë zonë gjenden disa fabrika të prodhimit të birrës, të prodhimit të nënprodukteve të mishit, të prodhimit të pijeve freskuese, disa qendra të mëdha tregtare, etj.
Fshatrat e kësaj zone në kohën e ish regjimit komunist kanë mbajtur peshën kryesore të prodhimit të produkteve të ndryshme bujqësore që furnizonin kryeqytetin. Kashari dhe Mëzezi kanë pasur një peshë të rëndësishme në prodhimin e perimeve dhe frutave. Yzberishti dallohej për produkte blegtorale. E gjithë zona ruan një traditë të mirë në kultivimin e hardhive, drufrutorëve dhe ullinjve.Traditë
Zona e Kasharit në ditët e sotme përmendet për punimet e veshjeve popullore. Stilistja Edlira Sulaj falë talentit dhe traditës familjare ka ngritur në këtë zonë atelienë “Tradita popullore” duke i qëndruar besnike origjinalitetit dhe mënyrës artizanale të qëndisjes së kostumeve popullore. Në ekspozitën e çelur prej saj gjenden 200 veshje tradicionale të zonës dhe të trevave të tjera të Shqipërisë.
Kostumet popullore të prodhuara këtu janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.