Blloku & Ish vila e Enver Hoxhës

Blloku
Ish – rezidenca e anëtarëve të lartë të udhëheqjes së Partisë Komuniste. Kjo ka qenë një zonë e ndaluar për qytetarët e thjeshtë.
Blloku ka një histori të veçantë. Qysh në periudhën e paraluftës ishin përqendruar këtu disa nga vilat më të hijshme të qytetit. Enver Hoxha e ktheu në rezidencë të vetën dhe të “shokëve“ të udhëheqjes komuniste. U shtuan dhe u zgjeruan shtëpitë ekzistuese, që thuajse u fshehën krejt prapa gjelbërimit dhe atmosferës së frikshme që e rrethonte zonën e ndaluar të kryeqytetit.
Sot kjo lagje nuk është më ajo e vilave të fshehura në gjelbërim, por një përzjerje e veçantë ndërtesash shumëkatëshe, vilash të kthyera në rezidenca ndërkombëtarësh, butikësh luksoze, kafenesh e klubesh të ngjeshura në një sipërfaqe të vogël.
Blloku frekuentohet sidomos nga të rinjtë për shkak të komplekseve të larmishme të shërbimeve dhe lokaleve luksoze. Natyrisht, kush kërkon natën më shumë gjallëri, drita e klube nate, duhet t’i drejtohet Bllokut.
Ish vila e Enver Hoxhës
Vila ku ka jetuar ish diktatori komunist Enver Hoxha është një ndërtim i periudhës së komunizmit me një arkitekturë e cila imiton në një pjesë të saj deri diku arkitekturën e viteve 30-të. Kurse pjesa tjetër është një ndërtim i rëndë betoni e veshur me pllaka të bardha guri.
Kjo shtëpi, e ndodhur në zonën e ish Bllokut, ka qenë një objekt i paprekshëm, tabu, dhe i veshur me shumë mister në kohën e diktaturës komuniste.
Rruga Ibrahim Rrugova