Kalaja e Dajtit

Kalaja e Dajtit ndodhet në tarracën detare të Dajtit në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të malit të Dajtit, mbi një majë në të djathtë të rrugës që të çon nga Qafa e Priskës për në fushën e Dajtit.
Kjo kala mendohet të jetë një nga kalatë e rindërtuara nga perandori bizantin Justiniani I (527- 566) dhe i përket gjysmës së shekullit VI.
Ajo ka një sipërfaqe prej 1.12 ha, dhe në pjesën më të madhe të saj ajo është mjaft e pjerrët. Muret kanë qenë të detyruar të ndjekin formën e kodrës, duke formuar një trekëndësh i cili është forcuar në tre këndet me nga një kullë të rrumbullakët. Sipërfaqja e rrethuar nga këta mure është në pjesën më të madhe mjaft e pjerrët dhe e mbuluar me shkëmbinj.
Trashësia e mureve është e lidhur me cilësitë mbrojtëse të terrenit, atje ku terreni është shumë i pjerrët jepte mundësi mbrojtjeje edhe një mur jo i trashë, ndërsa në vendet pak të pjerrëta ekzistonte një mur i trashë.
Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje, por jo i vetmi, ka qenë mbrojtja e dy qafave që gjenden në dy anët e malit të Dajtit. Nga zbulimet e bëra vërtetohet ekzistenca e një numri banesash si dhe se aty prodhohej qeramikë dhe shkrihej metal. Në mure dallohen dy duar ndërtimi: njëra me gurë të mëdhenj katërkëndësh të palidhur midis tyre që i përkasin ndoshta një kalaje ilire të mëparshme dhe tjetra me gurë të vegjël të palatuar dhe të lidhur me llaç që i përkasin kohës së vonë romake.