Kalaja e Dorëzit

Kjo kala përfaqëson qendrën e vetme urbane të pellgut të Tiranës me vazhdimësi jete shumë të gjatë, e njohur nga vendasit me emrin Qytezë.
Gjurmët e para të banimit i takojnë periudhës së bronzit (shek. XIV-XIII p.e.s.).
Rrënojat e saj mbulojnë një nga kuotat më të larta në vargun e kodrave të shkëputura nga malet e Krrabës në lartësinë 479 m nga niveli i detit.
Për ndërtimin e kalasë është zgjedhur një pllajë e pjerrët ku afro gjysma nuk është e rrethuar me mur, por është e mbrojtur nga shkëmbi natyral. Muri rrethues i saj, shtrihet në të gjithë pjesën jugore të një kodre shkëmbore dhe është afërsisht 300 m i gjatë, nga lindja në perëndim.
Sistemi i fortifikimit të kësaj qendre ka tre teknika të ndryshme ndërtimi të mureve: E para ndërtuar me gurë të papunuar (periudha e bronzit), e dyta me blloqe të gdhendur të vendosur në të thatë (periudha helenistike) dhe e treta që ndjek të njëjtën trase me të dytën është e ndërtuar me gurë të thyer të lidhur me llaç (antikiteti i vonë, shek. IV-VI).
Në Dorëz materiali arkeologjik gjendet edhe gjatë fillimeve te pushtimit romak.Në periudhën helenistike qyteti i Dorëzit ishte një qendër e rëndësishme e zonës së parthinëve. Me pushtimin romak, ky qytet si gjithë qytetet e qytezat e Ilirisë së Jugut pati të njëjtin fat braktisje, për t’u rikthyer aty pas 6 shekujsh. Fragmente muresh të tjera të një periudhe më të vonë, tregojnë se qyteti i hershëm ilir ka qenë i banuar deri në kohët e vona antike.
Rruga Dorzit, Albania