Kalaja e Petrelës

Kalaja (400 m lartësi) ka një pozicion mjaft të mbrojtur. Që nga lashtësia, kjo kala kontrollonte kryqëzimin e rrugëve me rëndësi ekonomike dhe ushtarake të cilat kalonin pranë saj, si rruga Egnatia (dega Durrës-Tiranë-Elbasan).
Ndërtimet i përkasin periudhave të ndryshme, të cilat duke u nisur nga teknika e ndërtimit dhe mbivendosja ndahen në disa faza. Kjo kala ka formë trekëndore dhe perimetri i saj nuk i kalon 100 metra. Në dy qoshe ka kulla rrethore, ndërsa në të tretën, për arsye të shkëmbit të thepisur, nuk është ndërtuar kullë.
Kalaja e Petrelës ka kaluar nëpërmjet disa periudhash ndërtimi e rrënimi. Mendohet se është ndërtuar në periudhën e vonë antike, (shekulli III-IV e.s.) dhe është rindërtuar sërish gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Justiniani I (527 – 565). Ajo mori një rëndësi të veçantë në shek. XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantinëve.
Në fillim të shek. XIV i përkiste familjes feudale të Topiajve që në atë kohë ishin zotërues të territorit midis lumenjve Mat e Shkumbin.
Në shekullin e XV, Petrela ishte Kështjella e parë pas Krujës, e cila u rrethua dhe u çlirua nga Skënderbeu.
Kalaja e Petrelës ishte një nga qendrat që u bënë ballë pushtimit Osman, deri në vitet e fundit të jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.