Kalaja e Tujanit

Kalaja e Tujanit ndodhet në afërsi të fshatit Tujan, në një nga majat e kodrave që pararendin nga perëndimi vargun e Dajtit. Kjo kala është një fortifikim në trajtën e një drejtkëndëshi rreth 160 x 190 m dhe ndahet në tre pjesë prej muresh gjatësorë me drejtim veri-jug. Në brendësi të rrethimit ndodhen gjurmë banesash me mure 0.8 m të gjera.
Ndërtuesit kanë shfrytëzuar veçoritë mbrojtëse të terrenit, duke e lënë anën lindore të parrethuar sepse aty brezi shkëmbor është mjaft i lartë ndërsa në jug dhe veri muret ngrihen mbi brezin shkëmbor.
Teknika e ndërtimit dhe qeramika e datojnë fortifikimin në shekujt IV-VI. Prej saj kontrollohet mjaft mirë Shkalla e Tujanit, ngushtica që ndan malin e Dajtit nga ai i Brarit, një nga korridoret e rëndësishme rrugore, nëpërmjet të cilit kalonte rruga tradicionale për në Dibër.
Ajo është jo më shumë se 2 km larg nga fshati Tufinë dhe rreth 9 km larg nga qendra e Tiranës.