Kalaja e Varoshit në Ndroq

Gjurmët tregojnë se ky vendbanim (387 m lartësi) u pajis me mure rrethuese gjatë dyndjeve barbare të shek. IV- VI.Muret janë të gjera dhe të ndërtuara me gurë të madhësisë mesatare që lidhen me llaç e gëlqere të përzier me pluhur të imët tullash sipas teknikës karakteristike për periudhën e vonë antike, fakt që mbështetet edhe nga fragmentet e qeramikës së gjetur në sipërfaqen e kalasë. Mendohet që kalaja ka pësuar një rrënim të fortë në këtë kohë, por është rindërtuar
më vonë gjatë shekullit XIII-XIV duke shërbyer si seli e feudalëve shqiptarë, kundër rivalëve vendas dhe pushtuesve të huaj.
Pas vdekjes së Skënderbeut pushtuesit osmanë i dhanë rëndësi kalasë së Ndroqit, pasi nëpërmjet saj vëzhgonin Durrësin që ndodhej nën sundimin e Venedikut. Pas rënies së Durrësit në vitin 1501, Ndroqi e humbi rëndësinë e tij, por e rifitoi atë përgjatë anarkisë feudale që përfshiu vendin tonë gjatë shekullit të XVIII, duke shërbyer përsëri si seli e feudalëve lokalë.
Funksioni i saj është i lidhur ngushtë me pozitën gjeografike që ajo zë në luginën e Erzenit duke kontrolluar rrugën që lidh bregdetin me territorin e brendshëm.