Kryegjyshata Botërore Bektashiane
Bektashizmi i themeluar nga Haxhi Bektash Veliu në shekullin XIII është një dogmë mistike islame që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut dhe respekton të gjitha fetë monoteiste. Selia botërore e bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë në vjeshtën e vitit 1925, kur qeveria turke me një vendim të posaçëm mbylli teqetë. Në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane ngriti një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët, e cila ekzistoi deri më 1967.
Pas pothuajse një çerek shekulli heshtjeje në Shqipëri, më 27 janar 1991, në Tiranë u ngrit një komitet i përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë së bektashinjve. Që prej atij viti e këndej, bashkësia e re, ka punuar mjaft për të ringjallur traditat e Bektashizmit në Shqipëri. Teqeja dhe, njëkohësisht, selia botërore në Tiranë u rihapën më 22 mars 1991 me rastin e ditës së Sulltan Nevruzit.
Në ambientet e Odeonit (Faltorja e Madhe) të përuruar më 7 shtator 2015 në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ndodhet edhe Muzeu Bektashian.
Ky muze prezanton nëpërmjet dokumenteve, fotografive dhe objekteve origjinale historinë e Bektashizmit në shkallë botërore dhe në veçanti të Bektashizmit shqiptar. Ai është i organizuar në 12 stenda e 12 vitrina, duke respektuar 12 Imamët. Një kënd shumë i rëndësishëm është ai që i kushtohet tolerancës dhe harmonisë fetare, për të cilat ka kontribuar e kontribuon mjaft Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Pjesë e Muzeut Bektashian janë dhe tre ambiente : Oxhak - kafeja, Ashurja dhe Pelegrinazhi.
Rruga Dhimitër Kamarda
04 235 5090
067 40 16618