Muzeu i Bankës së Shqipërisë

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka hapur dyert për publikun e interesuar. I vendosur brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit, selisë së bankës qendrore, Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015.
Muzeu shtrihet në dy kate, ku secili prej tyre është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetri. Në katin e parë, në një trajektore ekspozitash që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rondo, prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë nga lashtësia deri në ditët e sotme.
Në katin e dytë të Muzeut prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet e saj kushtetuese.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës si dhe një qendër të përhershme informacioni ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.
Hyrja në ndërtesë bëhet nga krahu i rrugës “Ibrahim Rugova”. Për të hyrë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, duhet të prenotoni vizitën tuaj dhe të jeni të pajisur me një dokument identifikimi.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë është i hapur çdo: të martë, të mërkurë dhe të enjte, nga ora 09:00 deri në orën 15:00, hyrja në muze është falas.