Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”

Ndërtuar në vitin 1931, kjo shtëpi, fillimisht ka pasur funksionin e një klinike obstetrike me nismën e mjekut të shquar shqiptar Dr. Jani Basho (1892- 1957) dhe e drejtuar prej tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s.
Në vitet e para të pasluftës kjo shtëpi u përdor si qendër hetuesie, pra dhe si vend ku bëheshin tortura dhe ka qëndruar si e tillë deri në vitin 1948 kur u prishën marrëdhëniet me ish Jugosllavinë.
Duke filluar nga vitet pesëdhjetë, funksionet e ndërtesës ndryshuan. Këtu u vendos selia e degës tekniko-shkencore të Sigurimit të Shtetit, e cila merrej kryesisht me përgjimin elektronik, me kontrollin e telefonave dhe me kontrollin postar si edhe një degë e cila merrej me ndjekjen e të huajve deri në shkrirjen e Sigurimit të Shtetit në vitin 1991. Sigurimi i Shtetit (Policia sekrete) u përdor për të shtypur popullsinë, për të eliminuar fraksionet dhe grupet e ndryshme brenda partisë komuniste si dhe opozitën jashtë saj. Ai u përdor për të mbajtur në këmbë regjimin totalitar.
Për dekada të tëra kanë qarkulluar legjenda rreth “Shtëpisë me Gjethe”, fryt i sekretit dhe i misterit me të cilin mbështillej kjo shtëpi.
Sot me një projekt të Ministrisë së Kulturës ajo është kthyer në muze i cili do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat dhe shpirtrat e njerëzve.
Sezoni pranverë-verë (1 maj – 15 tetor) : E hënë - E diel: 09:00 – 19:00
Sezoni vjeshtë-dimër ( 15 tetor- 1 maj) : E martë - E shtunë 10:00 – 17:00;
E dielë 09:00 - 14:00 ; E hënë - pushim
Rruga Dëshmorët e 4 shkurtit
+355 4 222 2612
+355 69 967 6116