Parku i Pezës

Text size
Kjo zonë, një nga më të bukurat e kurorës së gjelbër të Tiranës, ofron përpos hapësirave të nevojshme për turizëm edhe material të bollshëm për njohjen e karakteristikave biologjike dhe shkrirjen e biodiversitetit ekologjik.
Në këtë park në Pezë të Madhe ndodhet edhe liqeni i Fjollës, i cili është 4 km larg nga rruga nacionale dhe nga diga deri në fund të liqenit distanca është rreth 1 km. Liqeni ka marrë emrin e luginës poshtë kalasë së Dorëzit që quhet lugina e Fjollës.
Zona Fjollë – Dorëz, me një sipërfaqe 207.6 ha, përbëhet prej disa ekosistemeve të larmishme si pylli, toka, liqeni dhe vlerësohet e pasur për habitate natyrore.
Ky park nxjerr në pah jo vetëm vlerat ekologjike të këtij territori, por edhe shembullin e mirë të ruajtjes së ekosistemeve dhe bashkëjetesës njeri-natyrë. Liqeni me një sipërfaqe prej 14 ha ka si karakteristikë unikale ujëra të thella, të kaltra, të pastra duke qenë njëkohësisht habitati i disa llojeve autoktonë peshqish apo gjallesash të tjera ujore.
Parku i Pezës është një zone turistike ku vizitori të jetë pjesëmarrës aktiv në aktivitete të ndryshme sportive-kulturore si pedalimi, kanotazhi, mbjellja e pemëve, kampingu, ekspozita pikture, etj që kanë në fokus ndërgjegjësimin qytetar për natyrën dhe mjedisin.