Qendra e Tiranës – Ansambël Monumental
Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, Qendra e Tiranës përjetoi transformimin më të rëndësishëm në historinë e saj. U ndërtuan godinat e reja qeveritare dhe u konturua sheshi “Skënderbe”. Ndërtimi i tyre ishte një hap i rëndësishëm për shndërrimin e Tiranës në një kryeqytet modern, evropian e perëndimor.
Në vitet 1929-31, Qendra e Tiranës u kthye në shesh ndërtimi e konceptuar nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano de Fausto. Kompleksi i ministrive dhe Bashkia u ndërtuan sipas projektit të arkitektit fiorentin Florestano de Fausto.
Ndërtimi i tyre ishte sipas stilit neoklasik por në të njëjtën kohë ato mbartnin të gjithë ngarkesën e historisë sonë dhe simbole të saj. Qendra e kësaj zone muzeale u pasurua edhe me vlera të mirëfillta kombëtare siç janë simbolet e Aleksandit të Madh dhe ato të Skënderbeut.
Sheshi “Skënderbe” me ndërtimin e këtij ansambli u bë një shesh i mirëfilltë për historinë e qytetit dhe të gjithë vendit. Vlera historike e këtij ansambli qëndron në faktin se unifikoi me harmoni vlerat ekzistuese të qytetit me vlerat e reja që po merrte Tirana si kryeqytet i vendit.
Ndërtesat e ministrive si dhe ato të institucioneve të tjera që ndodhen në qendër të kryeqytetit dhe në aksin kryesor të tij në vitin 2000 u shpallën “Ansambël Monument Kulture”.
Sheshi Skënderbej