Tyrbja e Nuses

Tyrbja e Nuses gjendet në fshatin Mullet, pranë Kishës së Maxharës. Duke u nisur nga funksioni i ngjashëm me varret e periudhës otomane, mendohet që ajo i përket shek. XVII.
Kompozimi është i thjeshtë, mbi një xokolaturë pak të ngritur nga terreni ngrihen katër kolona, të cilat së bashku me harqet dhe një kupolë të vogël mbi to përbejnë zgjidhjen konstruktive.
Ky monument mbart një legjendë për nusen e re që mbeti e vrarë ditën e martesës. Dy palë kundërshtare që u kryqëzuan në hyrje të fshatit, ndoshta për hasmëri, po shkëmbenin të shtëna me njëra – tjetrën, ndërsa në rrugë po kalonin dasmorë, të cilët kishin marrë një nuse. Një plumb qorr e godet dhe e lë nusen e re të vdekur.