Universiteti i Arteve

Text size
Ndërtesa e këtij universiteti u projektua nga arkitekti italian Gherardo Bosio në vitet 1939 – 1941 dhe përfundoi në 1942. Kjo ndërtesë në atë kohë ishte ODA (Casa del Opera del Dopolavoro Albanese ) dhe paraqet linja të thjeshta arkitektonike, të zhvilluar në një plan unik të fasadës kryesore. Ajo ka një hyrje qendrore dhe shtrirje modulare në pjesët e saj. Kjo i jep një pamje monumentale. Arkitektura e kësaj ndërtese ashtu si e atyre përreth i përket stilit racional fashist.
Në fillim ajo ka qenë godina e Opera Nazionale Dopolavoro Albanese ( një lloj klubi argëtimi i organizuar nga Partia fashiste).
Më 11 janar 1946 regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore shpalli në një nga sallat e kësaj ndërtese Republikën Popullore të Shqipërisë.
Aktualisht aty ndodhet Universiteti i Arteve, një institucion publik i arsimit të lartë në fushën e artit.
Universiteti i Arteve është themeluar në vitin 1966 si Instituti i Lartë i Arteve duke bashkuar tre institucione: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”.
Në vitin 1990 Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel Universiteti duke marrë emrin Akademia e Arteve. Në mars të vitit 2011 u krijua Universiteti i Arteve mbi bazën e Akademisë së Arteve duke ruajtur të pandryshuar strukturën e fakulteteve.
Sheshi Nënë Tereza