Njoftim Publik
Projekti i Bashkisë së Tiranës “Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes”.
1.1 Hyrje
Në 6 gusht 2024 Bashkia Tiranë shpall thirrjen për dorëzimin e aplikimeve për Projektin “Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes”, financuar nga burime publike për të mbështetur krijimin, ose zgjerimin e aktiviteteve të bizneseve të suksesshme nga gra të afta për të qenë të qëndrueshme në një treg konkurues.
1.2 Rreth Projektit të Bashkisë së Tiranës për Fondin “Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes”
Qëllimi i Projektit është të mbështesë plane të qëndrueshme biznesi të krijuara nga gra në qytetin e Tiranës, të cilat janë të afta që të mbijetojnë në një treg konkurues. Procesi i përzgjedhjes së aplikantëve ka si qëllim të ofrojë transparencë dhe konkurrencë të barabartë si dhe të mbështesë idetë dhe planet e biznesit më të mira, të veçanta, fitimprurëse dhe që garantojnë rezultate të qëndrueshme. Përveç mbështetjes në formë granti, projekti do të ofrojë gjithashtu trajnim për aftësitë në biznes si dhe mbështetje duke ndihmuar gra me orientime profesionale dhe kualifikime për të qenë të suksesshme në fushën e përzgjedhur.
Projekti do të zbatohet në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë kuota që do të kufizojnë numrin e aplikantëve dhe sasinë e financimit për t’u përdorur për bizneset e reja dhe bizneset ekzistuese.
1.3 Mbështetja e Projektit
Qëllimi Projektit është të japë një mbështetje hap pas hapi për idetë e biznesit që kanë mundësinë më të madhe për të pasur sukses dhe për të tejkaluar barrierat e ndryshme të tregut. Për këto qëllime, Projekti është ndarë në tre faza.
Faza e parë: Kandidatët e pranueshëm aplikojnë me idenë e tyre bazë për biznes, përmes Formularit të Aplikimit (shiko më poshtë).
Faza e Dytë: Aplikantët e pranuar marrin pjesë në trajnim një javor, për aftësi të përgjithshme biznesi dhe zhvillimin e planit të biznesit, dhe vetëm atëherë ata dorëzojnë planet e tyre të biznesit. Planet e biznesit do të jenë një version më i përpunuar i idesë për biznes dhe do të konkurojnë për mbështetjen e grantit.
Faza e tretë: Fituesit e njoftuar do të firmosin një kontratë 12 mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.
1.4 Aplikantët e Pranueshëm
Të gjitha aplikantët duhet të kenë një ide për biznes, që ka si qëllim fillimin ose zgjerimin e një biznesi të pavarur shumë të vogël ose të vogël. Ato janë të detyruara të marrin pjesë personalisht në të gjitha aktivitetet e Projektit, duke qenë se ata janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe zbatimin e biznesit të tyre.
Kandidatët dhe pjesëmarrësit e pranueshëm të Projektit janë gra që jetojnë dhe kanë një biznes shumë të vogël, ose të vogël në territorin e Bashkisë së Tiranës, në kohën e aplikimit.
Gra që nuk përmbushin kriteret për t’u përzgjedhur janë ato të cilat kanë një konflikt interesi me palët e përfshira dhe vendimmarrësit e Projektit.
Çdo aplikant mund të marr pjesë me vetëm një ide biznesi.
E drejta për të pasur akses në Projekt, në asistencën e Grantit mund të përdoret vetëm një herë.
Aplikantet mund të jenë biznese start up dhe ekzistuese.
Grupet e mëposhtme të grave që do t’u jepet prioritet:
• gratë – kryefamiljare;
• gratë nga zonat rurale të Bashkisë së Tiranës;
• gratë me aftësi të kufizuara;
• gratë nga komunitetit Rom dhe Egjiptian
• gratë dhe të rejat nga kategori të tjera
1.5 Aktivitete Biznesi të Pranueshme
Aktivitetet e pranueshme për biznes janë nga sektorët e mëposhtëm, përkatësisht:
• Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK);
• Bizneset rurale;
• Shërbime (Agjensi dhe zyra informacioni turistike, tregti dhe shërbime me tematikë specifike për fëmijë, shërbime kulunarie, të nënprodukteve ushqimore dhe produkteve të përpunuara ushqimore, me origjinë shqiptare, shërbime hotelerie dhe restoranti, biznese me profil artizanati, aktivitete shërbimi etj....
Sektorët mund të ndryshojnë përgjatë secilit vit, në varësi të prioriteteve të përcaktuara nga Bashkia.
Nëse kandidatët do të jenë në kushte të barabarta, prioritet do t’i jepet aplikantëve:
• Me ide të veçantë për biznes (jo e përsëritur nga aplikantët e tjerë), ose të cilët ofrojnë produkte ose shërbime të reja,
• Me biznese që ndodhen në zonat rurale të Bashkisë së Tiranës,
• Të cilët përdorin zgjidhje teknike dhe teknologji prodhimi të reja, ose që kursejnë energjinë,
• Të cilët përdorin burime të energjisë së rinovueshme,
• Me biznese që krijojnë më shumë se tre vende pune.
Pavarësisht sektorit të përzgjedhur, idetë e mëposhtme për biznes nuk janë të pranueshme për të qenë pjesë në Projekt:
• të gjitha llojet e aktiviteteve brenda sektorit parësor të bujqësisë;
• shërbime të pasurive të patundshme, qiraja për pasuri të tundshme;
• shërbime financiare dhe sigurimesh dhe shërbime që përfshijnë lojërat e fatit;
• prodhim pijesh me përmbajtje dhe esencë të lartë alkooli;
• prodhim produktesh duhani;
• prodhim duke përdorur teknologji që shkakton ndotje mjedisore (siç është ndotja e ajrit, ujit, tokës) etj.
1.6 Mbështetje financiare
Efektet financiare të pikës 1 të këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i miratuar çdo vit për Bashkinë Tiranë për projektin ”Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes”.
Aplikantët e përzgjedhur mund të planifikojnë financime shtesë duke përdorur instrumente financiare (kredi, dhënie me qira, grante, etj.) të disponueshme në Shqipëri përmes institucioneve financiare ose projekteve të financuara nga donatorë, ose financat e veta. Nëse një nga këta instrumente financiare do të përdoret së bashku me asistencën për grant për të filluar planin e biznesit, atëherë ky burim financimi duhet të përfshihet në planin e biznesit dhe do të jetë subjekt i vlerësimit. Nëse instrumenti financiar do të përdoret për zgjerim të mëtejshëm të biznesit, kjo mbështetje e mëtejshme e marrë pritet që të raportohet në vizitat dhe raportet monitoruese për Projektin.
1.7 Shpenzimet e pranueshme
Shpenzimet e pranueshme që mund të mbulohen nga paratë e grantit duhet të përdoren për zbatimin e planit të biznesit dhe mund të përfshijnë:
• qiranë për mjediset për zyra dhe shërbimet e biznesit;
• blerjen e materialeve për mobilim ose rregullim të mjediseve/godinave për biznesin;
• blerjen e makinerive, mjeteve dhe pajisjeve, software etj;
• blerjen e programeve softëare, licencave apo abonimeve digjitale te cilat kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e planit të biznesit;
• blerjen para fillimit të materialeve të papërpunuara dhe produkteve të konsumueshme;
• rrogat dhe pagat, dhe shërbime të tjera të specializuara të nevojshme, kontabilitet, administrim, IT, etj ;
• promovimin dhe reklamimin e aktiviteteve.
Ka disa kufizime për shpenzimet e pranueshme:
• blerja e materialeve të papërpunuara mund të mbulohet vetëm një herë, si blerje e vetme e stokut fillestar;
• rrogat dhe pagat mund të mbulohen deri për 12 muaj pas fillimit të biznesit, bazuar në pagën minimale në Shqipëri (pjesa tjetër e rrogës duhet të mbulohet nga vetë biznesi);
• idetë qe kane përfituar më parë nga ky program nuk do të mund te aplikojnë për së dyti për te njëjtin shërbim qe kanë përftuar më parë (ose dhe përjashtohen fare).
Shpenzimet jo të pranueshme që nuk mund të mbulohen nga paratë e grantit përfshijnë:
• blerjen e pasurive të patundshme si toka, godina, etj ;
• blerjen e mjeteve të transportit që nuk do të përdoren direkt për funksionimin e biznesit të propozuar;
• çdo shpenzim që nuk lidhet me biznesin e propozuar;
• shpenzimet e kryera përpara përmbylljes së kontratës së grantit.
Shpenzimet jo të pranueshme në grant mund të mbulohen nëpërmjet kontributit personal të aplikantit, dhe formave të tjera të financimit, siç janë kreditë, huaja, vet investim, etj.
1.8 Si të Aplikohet
Të gjithë Formularët e plotësuar të Aplikimit do të dorëzohen në Sektorin e Komunikimit dhe pritjes së Qytetarit në Bashki në një kopje origjinale dhe dy kopje të tjera identike. Aplikantët janë të detyruar që të dorëzojnë bashkangjitur me Formularin e Aplikimit të gjitha llojet e dokumenteve që vërtetojnë arsimin, kualifikimin dhe eksperiencën e tyre që korrespondon me idenë e paraqitur për biznes.
Afati i fundit për dorëzim nuk është më vonë se 26 gusht 2024 ora 16:00 në adresat në vijim: Pranë Sektorit të Komunikimit dhe Pritjes së Qytetarit, Bashkia Tiranë.
Çdo aplikim që merret pas datës së shpallur të mbylljes do të quhet i pavlefshëm.
Çdo aplikant mund të aplikojë me vetëm një ide për biznes.
1.9 Dokumentacioni i cili duhet dorëzuar për aplikim :
o Kartë identiteti
o Dokumente justifikuese nëse i përket grupeve vurnerabël
o Formulari standart i idesë së biznesit.
Dokumentacioni i cili do të sigurohet nga Bashkia për çdo aplikant :
1. Certifikatë familjare e aplikantit.
2. Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave ku vërtetohet se aplikanti nuk ka detyrime financiare ndaj këtij institucioni. (për aplikantet e cilët kanë biznes ekzistues)
Informacione të tjera
Informacione shtesë dhe Formulari i Aplikimit mund të gjenden në adresën www.tirana.al
Për më shumë informacion në Bashki, ju lutem kontaktoni Znj. Egla Saliasi, Koordinator Projekti, nga Bashkia Tiranë në adresën në vijim: [email protected]