BASHKIA TIRANË SHPALL:
THIRRJE PUBLIKE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE PËR PARAQITJEN E PROJEKT PROPOZIMEVE NË KUADËR TË PROGRAMIT ReLOaD
Programi ReLOaD synon të fuqizojë demokracitë pjesëmarrëse përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet njësive të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke mbështetur shoqërinë civile të jetë pjesë e proceseve të vendimmarrjes si edhe duke krijuar një mjedis ligjor e financiar inkurajues për të.
Bashkia Tiranë fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) të paraqesin projekt-propozime që janë në përputhje me objektivat zhvillimore dhe prioritetet e Bashkisë Tiranë si më poshtë:
1. Sporti dhe të jetuarit shëndetshëm
2. Fuqizimi i pjesëmarrjes publike
3. Nxitja dhe promovimi i turizmit
Këto prioritete janë vendosur bazuar në propozimet e Bashkisë Tiranë dhe konsultimit me organizatat e shoqërisë civile në takimin e zhvilluar më 04.07.2023. Fondet do t’i alokohen organizatave të shoqërisë civile projektet e të cilave kontribuojnë në zgjidhjen e një apo më shumë përparësive, si edhe plotësojnë kriteret e përmendura në udhëzuesin për aplikantët (Shtojca 6).
Shuma e financimit për projektet e miratuara do të jetë 500.000 Lekë deri në 1.500.000 Lekë.
OSHC-të të cilat kanë qënë partnere në thirrjet e kaluara ReLOaD mund të aplikojnë, por vlera totale e përfituar nga thirrjet ReLOaD në Bashkinë Tiranë nuk duhet të kalojë 5.000.000 Lekë. Programi ReLOaD synon rritjen e kapaciteteve të OSHC-ve dhe ofron mbështetje për organizatat e reja.
Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur dhe e barabartë për të gjitha organizatat e regjistruara (shoqatë/organizatë apo fondacion) në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara mund të gjejnë informacion të hollësishëm rreth kushteve për aplikim si dhe për kriteret për financimin e projekteve në Udhëzuesin për aplikantët, pjesë përbërëse e dokumentacionit të thirrjes publike.
Dokumentacioni i aplikimit për thirrjen publike të Bashkisë Tiranë do të jetë i disponueshëm nga data 17.07.2023, në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë (www.tirana.al), duke u paraqitur personalisht pranë Zyrës së Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët, si edhe pas dërgimit të një kërkese për tërheqjen e dokumentacionit me e-mail në adresën [email protected].
Me qëllim mbështetjen e OSHC-ve për të paraqitur aplikime në përputhje me kriteret e udhëzuesit, Bashkia Tiranë do të organizojë një takim informues/ditë të hapur për të gjitha organizatat e interesuara për të aplikuar. Më shumë detaje mbi takimin informues do të publikohen në faqen zyrtare (www.tirana.al).
Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 11.08.2023, ora 15:00. Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në tri (3) kopje të shtypura dhe një kopje elektronike (CD apo USB), të vendosura në një zarf të vulosur i cili duhet të përmbajë titullin e thirrjes për dorëzimin e propozimeve, emrin dhe adresën e plotë të kandidatit, emrin e plotë të projektit dhe mbishkrimin “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare.”, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hëne – e premte), ora 09:00 - 15:00, në adresën në vijim:
Bashkia Tiranë – Zyra e Protokollit,
Sheshi “Skënderbej” Nd. 2, Kodi Postar 1001, Tiranë, Shqipëri
Rezultatet e vlerësimit do të shpallen në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë (www.tirana.al) dhe në tabelën e njoftimeve të bashkisë brenda 30 ditësh nga mbyllja e thirrjes publike.